Zv.presidenti amerikan: Operacioni ushtarak në Venezuelë rrit kontrollin mbi burimet e energjisë

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha të martën se operacioni ushtarak në Venezuelë synon të frenojë financimin për narko-terrorizmin dhe t’i japë Uashingtonit kontroll më të madh mbi burimet globale të energjisë.

Duke folur për Salem News Channel, Vance tha se ShBA-ja dëshiron atë që është më e mira për popullin venezuelian dhe për popullin amerikan.

“Kushdo që të jetë udhëheqësi i atij vendi, do të duhet të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke theksuar se politikat e mëparshme të Venezuelës u kishin lejuar konkurrentëve të huaj qasje në energji të lirë, ndërsa përdornin të ardhurat për të financuar aktivitete që kërcënojnë ShBA-në.

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 3 janar se operacioni ushtarak rezultoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij Cilia Flores, dhe u zotua të vendoste kontrollin amerikan mbi Venezuelën për momentin, me trupa amerikane nëse është e nevojshme.

“Ajo që bëri presidenti, dhe në të vërtetë i gjithë ekipi e bëri të mundur, është të ndërpresë atë rrjedhë të parave të energjisë për narko-terroristët për të prerë më pas, sigurisht sasinë e narko-terrorizmit që po importohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Vance.

Ai shtoi se ky veprim pritet të ulë çmimet e gazit dhe energjisë për amerikanët, duke shpëtuar njëkohësisht jetë.

“Mendoj se do të shpëtojë jetë. Do të thotë çmime më të lira të gazit dhe energjisë për amerikanët. Dhe ndoshta më e rëndësishmja, do të thotë që ne kemi më shumë kontroll mbi burimet e energjisë që ekzistojnë në botë, gjë që na mundëson sigurisht, të arrijmë rezultate më të mira ekonomike për njerëzit tanë dhe t’i përdorim këto burime energjie si levë për të arritur paqe dhe prosperitet më të madh”, shtoi ai.

Zëvendëspresidenti amerikan e quajti operacionin “shumë të rëndësishëm” dhe vlerësoi ekzekutimin e tij si “të përsosur”.

Në anën tjetër lidhur me përdorimin e naftës nga Venezuela, Sekretari i Brendshëm Doug Burgum i tha Fox News se fuqia energjetike e ShBA-së i ka lejuar vendit të ndërmarrë veprime kundër kombeve me rezerva të mëdha nafte pa ndërprerje të mëdha në çmimet e karburantit vendas.

Burgum tha se rafineritë e ndërtuara nga ShBA-ja në bregdetin jugor të Gjirit të Meksikës janë projektuar për të qenë në gjendje të përpunojnë naftën e rëndë bruto të nxjerrë në Venezuelë, e cila krenohet me rezervat më të mëdha të provuara në botë të hidrokarbureve.

“Pastaj, duhet ta hollosh atë naftë të rëndë bruto me një produkt më të lehtë dhe sigurisht, ne kemi një tepricë të atij produkti më të lehtë këtu për shkak të vajrave të argjilit”, shtoi ai.

Burgum gjithashtu e cilësoi operacionin si një mundësi për ekonominë e Venezuelës.

“Venezuela ka një mundësi tani që të sjellë kapital dhe të rindërtojë ekonominë e saj”, tha ai, duke krahasuar potencialin e kombit të Amerikës së Jugut me pasurinë energjetike të Arabisë Saudite.

“Arabia Saudite, një nga vendet më të pasura në botë. Venezuela, një nga vendet më të varfra në botë. Nuk ka pse të jetë kështu me teknologjinë amerikane, partneritetin amerikan. Venezuela mund të transformohet, dhe kjo është një fitore për këtë hemisferë. Është një fitore për popullin e Venezuelës”, tha Burgum.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button