Zekolli inspekton projektet qeveritare në Vrapçisht, mbi 1.3 milionë euro investime

Zv/ministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli ka njoftuar se ka qëndruar në komunën e Vrapçishtit, ku nga afër janë inspektuar disa nga projektet e financuara nga Qeveria për ministrisë së Transportit.
“Isha në terren në Komunën e Vrapçishtit, së bashku me kandidatin për kryetar të kësaj komune, z. Zulhajrat Demiri, ku nga afër inspektuam disa nga projektet e financuara nga Qeveria përmes Ministrisë së Transportit. Për këtë komunë janë ndarë mbi 1 milion e 300 mijë euro për realizimin e 11 projekteve konkrete, të përfituara nga dy thirrje të njëpasnjëshme qeveritare.
Vizituam gjithashtu edhe fshatrat periferike, si Gjurgjevishta dhe Kalishta, ku problemet infrastrukturore, veçanërisht ato rrugore, janë evidente dhe kërkojnë zgjidhje urgjente. Bashkë me kandidatin Demiri u zotuam se menjëherë pas marrjes së detyrës së re, në thirrjen e ardhshme të Qeverisë për mbështetje të komunave, do të aplikojmë për projekte konkrete për këto vendbanime, por edhe për shumë zona të tjera që kanë nevojë reale për investime.
Qëllimi ynë është i qartë: rritja e cilësisë së jetesës për bashkëqytetarët tanë, zhvillimi i barabartë i çdo vendbanimi dhe kthimi i investimeve publike në përmirësime reale për qytetarët. Angazhimi ynë nuk mbetet në fjalë, por matet me punë, projekte dhe rezultate konkrete në terren”, ka shkruar Zekolli.



