Presidenti i Iranit thotë se SHBA, Izraeli dhe Evropa po zhvillojnë “luftë të gjithanshme” kundër vendit

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Evropa po zhvillojnë një “luftë të gjithanshme” kundër vendit të tij.
Deklaratat e presidentit të shtunën vijnë përpara takimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të hënën, me presidentin amerikan Donald Trump.
Ato vijnë gjithashtu gjashtë muaj pasi Izraeli dhe SHBA ndërmorën sulme ndaj Iranit, si dhe pas rivendosjes, në shtator, nga Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor.
“Sipas mendimit tim, ne jemi në një luftë të gjithanshme me Amerikën, Izraelin dhe Evropën. Ata nuk duan që vendi ynë të qëndrojë në këmbët e veta,” tha Pezeshkian në një intervistë për faqen zyrtare të Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
“Forcat tona të dashura ushtarake po e kryejnë detyrën e tyre me forcë dhe sot, për sa i përket pajisjeve dhe fuqisë njerëzore, pavarësisht të gjitha problemeve që kemi, janë më të forta se në kohën kur ata [Izraeli dhe SHBA] sulmuan,” u shpreh ai.
“Prandaj, nëse ata duan të sulmojnë, natyrshëm do të përballen me një përgjigje më vendimtare.”
Presidenti theksoi se “kjo luftë” është ndryshe nga luftërat e mëparshme.
“Kjo luftë është më e keqe se lufta e Irakut kundër nesh. Nëse kuptohet siç duhet, kjo luftë është shumë më komplekse dhe më e vështirë se ajo luftë,” tha Pezeshkian, duke iu referuar konfliktit të viteve 1980–1988 mes dy vendeve fqinje, në të cilin u vranë mijëra njerëz.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e akuzojnë Iranin se synon të pajiset me armë bërthamore, një pretendim që Teherani e ka mohuar vazhdimisht.
Izraeli dhe Irani u përfshinë në një luftë 12-ditore në qershor, e cila u nxit nga një sulm i paprecedentë izraelit ndaj objekteve ushtarake dhe bërthamore iraniane, si dhe ndaj zonave civile.
Sipas autoriteteve iraniane, sulmet shkaktuan mbi 1.000 viktima.
Më pas, SHBA iu bashkua operacionit izraelit duke bombarduar tre objekte bërthamore iraniane.
Përfshirja e Uashingtonit çoi në ndërprerjen e negociatave me Teheranin, të cilat kishin nisur në prill, mbi programin bërthamor iranian.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka ringjallur të ashtuquajturën politikë të “presionit maksimal” ndaj Iranit, të nisur gjatë mandatit të tij të parë.
Kjo ka përfshirë sanksione shtesë të dizajnuara për ta gjymtuar ekonomikisht vendin dhe për t’i prerë të ardhurat nga shitja e naftës në tregun global.
Sipas raportimeve të fundit, kur Netanyahu ta vizitojë Trumpin këtë fundjavë në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, ai do të shtyjë për veprime të reja ushtarake kundër Iranit, këtë herë të fokusuara në programin raketor të Teheranit.



