Rama: Nuk po ndërhyj në punën e gjyqësorit

Kryeministri Rama ka reaguar sërish për kërkesën që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese pas pezullimit të Belinda Ballukut nga GJKKO, duke hedhur poshtë pretendimet e opozitës se po ndërhyn në punët e drejtësisë.
“Unë nuk flas teorikisht dhe as nuk jam për të ndërhyrë në punën e prokurorit dhe gjyqtarit në fjalë. Unë flas për cenimin konkret të balancës mes pushteteve, për ndërhyrjen brutale për marrjen e kompetencave që Kushtetuta thotë se vetëm prokurori dhe gjykatësi mund t’i përdorin, dhe prekja e tyre bllokon punët ku hyn edhe marrëveshja me Kanadanë”.
Rama ripërsërit se vendimi për pezullimin e zëvendëskryeministres po mban peng disa projekte që kërkojnë firmën e saj, përfshi edhe marrëveshjen për fluturimet direkte me Kanadanë, si dhe 35 vendime të tjera të qeverisë.
“Janë penguar punët, rasti i marrëveshjes me Kanadanë do e zgjidhim me ministrinë e Jashtme, por çfarë do bëjmë me të tjerat?”
Ai thekson se pezullimi i vartëses së tij është i pari në botë, dhe se nuk ka ndërmend ta shkarkojë Ballukun nga detyra që i ka besuar.
“Se do të shkarkoja ministren, të nesërmen krijohej një problem madhor; miu do kafshonte jo vetëm qeverinë, por edhe votën popullore. Jo sepse heqja e ministres zgjidh këtë problem, por do krijonte problem themelor të nesërmen, për shkak të zhbalancimit të pushteteve, ministrat nuk hiqen pa gjyq, me vendim të kryes. Thjesht, një masë e tillë do kthehej në ujk që do kafshonte qeverinë dhe do prekte votën popullore”.
Rama hedh poshtë çdo akuzë se kjo është një betejë politike, teksa në 12 dhjetor Gjykata Kushtetuese do të vendosë nëse do të pranojë ankimin e bërë nga kryeministri, i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave mes tij dhe Gjykatës së Posaçme, si dhe shfuqizimin e vendimit të pezullimit, si dhe ngrirjen e tij derisa gjykata të shprehet me vendim përfundimtar.



