Negociata në Florida për paqen në Ukrainë

Stiv Witkoff, ndërmjetësi amerikan për paqen me Rusinë, pret këtë të premte në Florida kryekëshilltarin ukrainas për sigurinë kombëtare, Rustem Umerov, me të cilin do të bëjë përpjekjen e radhës për të sheshuar mosmarrëveshjet me Rusinë që pengojnë arritjen e paqes në Ukrainë.
I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan nuk arriti të martën në Moskë të bëjë përparime drejt qëllimit përfundimtar për vënien në zbatim të planit të Donald Trump-it për fundin e luftës. Pjesëmarrësit në bisedime nuk kanë dhënë detaje se në ç’fazë janë bisedimet, por e qartë është se ngërçi është ai i herëshëm: lëshimet territoriale që Ukraina duhet t’i bëjë Rusisë dhe ndalimi i përhershëm i anëtarësimit të këtij vendi në NATO.
Në detajet paraprake të zbardhura nga intervista televizive e dhënë gjatë vizitës këtë të enjte në Indi, presidenti rus Vladimir Putin foli prerazi se për Ukrainën ka dy rrugë: ose të tërheqë ushtarët nga të gjitha rajonet e aneksuara nga Rusia, ose lufta do të vijojë deri në çlirimin e tyre të plotë. Vlerësime shprehu për Donald Trump-in, për të cilin tha se po përpiqet të gjejë një zgjidhje.
Ndërsa presidenti amerikan tha se përshtypja e Witkoff-it dhe Kushner-it pas takimit të së mërkurës është se Putin dëshiron fundin e luftës. Megjithatë, për shefin e Shtëpisë së Bardhë, ai tha se Ukraina mund ta kishte gjithë territorin vetëm nëse në vend nuk do të ishte zhvilluar kjo luftë.



