Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s, Mucunski: Në Ballkanin Perëndimor ka ndikim të lartë keqdashës nga Rusia dhe Kina

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, mori pjesë sot në takimin e shefave të diplomacisë, i pari pas samitit historik të NATO-s në Hagë, përcjell TV21. Në një deklaratë para fillimit të takimit, Mucunski njoftoi se fokusi do të jetë te gatishmëria e aleancës dhe mbështetja e fortë për Ukrainën, por edhe mundësia për paqe. “Ekziston një moment i qartë dhe një dritare për një paqe të mundshme në Ukrainë. Administrata e presidentit Tramp është shumë e përkushtuar për të gjetur një zgjidhje paqësore,” shtoi Mucunski.
“Në margjina, ne kemi edhe një diskutim shumë të rëndësishëm për Korridorin 8, i cili është një korridor kyç politik dhe sigurie. Ky është një korridor për përmirësimin e lidhshmërisë, por edhe për mobilitetin strategjik ushtarak. Unë dhe kolegu ynë italian Antonio Tajani do të jemi bashkpritës të këtij eventi, ku shpresojmë të mund të diskutojmë jo vetëm për Korridorin 8, por edhe për Ballkanin Perëndimor, ku ekziston një nivel shumë i lartë ndikimi keqdashës që vjen nga Rusia, Kina, si dhe nga palë të tjera të përfshira. Këto janë çështjet kryesore që do t’i trajtojmë gjatë ditës. Gjithashtu, do të na bëjë kënaqësi të vazhdojmë diskutimin me kolegen tonë nga Ukraina, si dhe me përfaqësuesen e lartë Kaja Kalas, e cila do t’i bashkohet sot pasdite”, u shpreh Timço Mucunski, Ministër për Punët dhe Tregti të Jashtme.
