Hong Kong: Vihet nën kontroll zjarri masiv në kompleksin e banimit, 65 të vdekur dhe 280 ende të zhdukur

Hong Kongu bëri të ditur sot se e ka vënë nën kontroll zjarrin më vdekjeprurës në dekada, një flakë që përfshiu një kompleks banimi në Tai Po, duke lënë të vdekur të paktën 65 persona dhe 280 të tjerë të zhdukur, sipas mediave lokale, transmeton Anadolu.

Deri më tani, 65 persona kanë vdekur, përfshirë një zjarrfikës, dhe 70 të tjerë janë lënduar, mes tyre dhjetëzjarrfikës, ndërsa 62 persona vazhdojnë të jenë të bllokuar brenda ndërtesave, raportoi “South China Morning Post”.

Kreu ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee, më herët deklaroi se zjarret në shtatë ndërtesat janë vënë nën kontroll.

Zjarri shpërtheu rreth mesditës së të mërkurës në kompleksin që përbëhet nga më shumë se 1.900 apartamente dhe u përhap me shpejtësi për shkak të skelave prej bambuje të instaluara në fasadë për punime rinovuese.

Nga shtatë ndërtesat e përfshira nga flakët, kompleksi vlerësohet të strehojë rreth 4.000 banorë.

Në total, 280 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur dhe ekipet e zjarrfikësve po vazhdojnë operacionet.

Policia ka arrestuar tre persona – dy menaxherë dhe një inxhinier konsulence nga kompania e ndërtimit që kryente rinovimin – nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.

Autoritetet thonë se skelat prej bambuje të ngritura për rinovime dhe materialet plastike izoluese që mbulonin dritaret kontribuuan ndjeshëm në përhapjen e shpejtë të flakëve.

“Kemi arsye të besojmë se individët përgjegjës nga kompania kanë vepruar me neglizhencë të rëndë, gjë që bëri që zjarri të përhapej shpejt dhe të shkaktonte shumë viktima”, tha zyrtarja e lartë policore Eileen Chung Lai-yee.

Sekretari i Sigurisë së Hong Kongut, Chris Tang, tha se hetimet paraprake tregojnë se shpejtësia e përhapjes së zjarrit ishte e pazakontë, duke theksuar kryesisht materialin izolues prej shkumëze.

“Gjetëm se materiali që mbulonte muret e ndërtesave, rrjeta përreth skelave dhe mbulesat e papërshkueshme nga uji bënë që flakët të përhapen shumë më shpejt sesa do të ndodhte me materiale që përmbushin standardet e sigurisë”, theksoi ai.

Për herë të parë pas 17 vitesh, Hong Kongu shpalli alarmin e nivelit 5 kundër zjarrit, nivelin më të lartë në kategorizimin pesëshkallësh të qytetit.

Autoritetet njoftuan se dy komplekse fqinje u evakuuan dhe rreth 900 banorë të prekur nga zjarri janë strehuar në tetë qendra të përkohshme.

Më shumë se 140 mjete zjarrfikëse dhe mbi 800 punonjës emergjence e zjarrfikës u dërguan në vendngjarje.

Departamenti i Transportit njoftoi se rrugët në zonë janë mbyllur për shkak të zjarrit.

Presidenti kinez Xi Jinping i shprehu ngushëllimet qeverisë së Hong Kongut për humbjet e jetëve dhe udhëzoi Zyrën për Çështjet e Hong Kongut dhe Makaos në Pekin që të mbështesë autoritetet lokale në reagimin ndaj situatës.

Kreu ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee Ka-chiu, shprehu dhimbje të thellë për numrin e lartë të viktimave dhe të lënduarve, duke u shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe duke uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

Ai gjithashtu thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit për të koordinuar reagimin ndaj fatkeqësisë.

Lee ngriti gjithashtu një fond prej 300 milionë dollarësh hongkongas (38,5 milionë dollarë amerikanë) për të mbështetur banorët e prekur.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button