Britani, migrimi neto shënon rënie me gati 80 për qind që nga viti 2023

Sipas shifrave zyrtare, migrimi neto i Mbretërisë së Bashkuar ka shënuar rënie me gati 80 për qind nga kulmi prej 944 mijë personash në 12 muaj deri në mars të vitit 2023, transmeton Anadolu.
Të dhënat paraprake nga Zyra e Statistikave Kombëtare (ONS) treguan se migrimi shtoi 204 mijë persona në popullsinë e Mbretërisë së Bashkuar midis korrikut të vitit 2024 dhe qershorit të vitit 2025, duke shënuar rënie prej gati 70 për qind nga shifra e vitit të mëparshëm kur u regjistruan rreth 650 mijë persona.
Sipas të dhënave, kjo përbën ulje prej 80 për qind nga kulmi prej gati 1 milion personash, respektivisht 944 mijë, në 12 muaj deri në mars të vitit 2023. Kjo është shifra më e ulët që nga pandemia e COVID-19 kur u regjistruan 132 mijë persona në 12 muaj deri në mars të vitit 2021.
Të dhënat e ONS-së po ashtu treguan se 898 mijë njerëz imigruan në Mbretërinë e Bashkuar midis korrikut të vitit 2024 dhe qershorit të vitit 2025, respektivisht mbi 400 mijë persona më pak se viti i mëparshëm.
Ndërkohë, duke cituar shifra të Ministrisë së Punëve të Brendshme, BBC raportoi se në vitin që përfundon në shtator të vitit 2025 ka pasur rreth 51 mijë mbërritje të evidentuara si të ardhur përmes rrugëve të paligjshme, si anije të vogla dhe rrugë të tjera të hyrjes së migrantëve si kamionë dhe furgonë.
Shtetësitë kryesore që mbërrijnë me anije të vogla janë Eritrea me 17 për qind, Afganistani me 13 për qind, Irani me 11 për qind, Sudani me 10 për qind dhe Somalia me 8 për qind.



