Gjykata e Lartë lë në fuqi masën arrest në burg për ish-presidentin Meta

Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka lënë në fuqi masën arrest në burg për ish-presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili është në paraburgim i dyshuar për disa vepra penale.
Në seancën e sotme të Gjykatës së Lartë është shqyrtuar kërkesa e Metës, i cili ka kundërshtuar masën arrest në burg.
Sipas njoftimit të publikuar në uebfaqen e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, gjykata në seancën e sotme ka vendosur të mos e pranojë kërkesën e Metës për të shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shtyhet sërish seanca në GJKKO
Ndërkohë, është shtyrë përsëri seanca në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e planifikuar sot për çështjen ndaj ish-presidentit Meta.
Në seancën e GJKKO-së ishte planifikuar të vendosej nëse çështja ndaj Metës do të kalojë apo jo në gjykim, ndërsa seanca e radhës është vendosur për më 5 dhjetor.
Gjykatat në Shqipëri kanë rrëzuar muajit e fundit kërkesat e ish-presidentit Meta për lirimin nga paraburgimi apo për masë tjetër sigurie.
Gjithashtu janë shtyrë disa seanca në GJKKO mbi kalimin ose jo të çështjes në gjykim.
– Çështja ndaj ish-presidentit Meta
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor të vitit 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si “Kontrata e shërbimit CEZ-DIA” dhe për “kontrata lobimi në SHBA”. Aktualisht, ai është në paraburgim.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.



