Putin konfirmon “bisedimet sekrete” Rusi-Ukrainë në Abu Dhabi

Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi të enjten se një takim midis zyrtarëve rusë dhe ukrainas u zhvillua javën e kaluar në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), me iniciativën e Kievit, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Bishkek, kryeqytetin e Kirgistanit, Putin vuri në dukje se në takim mori pjesë “një përfaqësues i administratës amerikane” dhe se ngjarja u zhvillua me iniciativën e Kievit.
“Prania e përfaqësuesve të SHBA-së në bisedimet e Abu Dhabit erdhi si një surprizë”, tha ai.
Putin theksoi se SHBA-ja e ka informuar Moskën se do të dërgojnë një delegacion në gjysmën e parë të javës së ardhshme, duke shtuar se përbërja e tij është “vetëm vendim i Washingtonit”.
Lidhur me draftin e paqes të publikuar, Putin tha se Moska sheh se SHBA-ja po përfshin disa qëndrime ruse, por pika të tjera kërkojnë diskutim serioz.



