Sheshi i Ushtarit të Panjohur në Gaza kthehet në strehë me tenda për palestinezët pa shtëpi

Sheshi i Ushtarit të Panjohur në Gaza, i cili është kthyer në rrënoja, dikur ishte qendër e ngjarjeve kulturore, ceremonive kombëtare dhe tregjeve publike, ndërsa sot është shndërruar në një strehë për palestinezët e zhvendosur pa shtëpi si pasojë e sulmeve izraelite, raporton Anadolu.
Dikur zemra e qytetit me tregjet e tij të gjalla dhe aktivitetet kombëtare, sot në shesh ndodhen tendat e vendosura midis ndërtesave të dëmtuara, ku po strehohen palestinezët që kanë mbetur pa kulm mbi kokë.
Sheshi, që ndodhet në lagjen Remal në perëndim të Qytetit Gaza, dikur konsiderohej si qendra ekonomike dhe kulturore e Gazës. Kjo zonë është goditur disa herë gjatë luftës nga sulmet tokësore dhe është shënjestruar nga bombardimet intensive ajrore.
Sipas të dhënave të fundit nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), më shumë se 282 mijë shtëpi në Gaza u shkatërruan ose u dëmtuan gjatë luftës 2-vjeçare të Izraelit.
Më 10 tetor, midis Hamasit dhe Izraelit u arrit një armëpushim, por Izraeli vazhdon ta shkelë atë çdo ditë, duke shkaktuar qindra viktima palestineze dhe duke kufizuar hyrjen e ushqimit dhe furnizimeve mjekësore.
Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën 69 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe kanë plagosur rreth 170.700 të tjerë dhe e kanë kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.



