Presidenti Sharaa takon përfaqësues të organizatave siriane në Washington

Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, është takuar me përfaqësuesit e organizatave siriane në Washington, transmeton Anadolu.
Gjatë takimit, sipas televizionit shtetëror Al-Ikhbariya, Sharaa theksoi “frymën e bashkëpunimit” midis sirianëve që jetojnë jashtë vendit dhe atyre në atdhe, duke përmendur nevojën për përpjekje të përbashkëta nga të gjithë sirianët për të rindërtuar vendin.
“Sanksionet janë në fazat e tyre të fundit dhe ne duhet të vazhdojmë të punojmë drejt heqjes së tyre”, tha Sharaa, duke u bërë thirrje përfaqësuesve të shfrytëzojnë “mundësinë e rrallë” që ka marrë Siria.
Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Asaad al-Shaibani, gjithashtu mori pjesë në takim.
Sharaa mbërriti në Washington dje, pasi mori pjesë në Samitin e Klimës COP30 në Brazil.
Vizita vjen dy ditë pasi SHBA-ja hoq presidentin sirian nga lista e sanksioneve.
Gjatë ditës së nesërme, Sharaa pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në një vizitë historike, pasi është e para e një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë në pothuajse 80 vjet.
Që nga rrëzimi i Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, administrata e re e Sirisë ka ndërmarrë disa masa për të rivendosur sigurinë në Siri dhe ka ndjekur reforma politike dhe ekonomike, duke promovuar kohezionin social dhe duke punuar për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët rajonal dhe ndërkombëtar.
Assadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ishte në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga presidenti Sharaa u formua në muajin janar.



