Presidenti i Sirisë mirëpret vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për heqjen e sanksioneve ndaj tij

Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, vlerësoi të premten vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të hequr sanksionet e vendosura ndaj tij dhe ministrit të Brendshëm, Anas Khattab, duke e quajtur atë një “hap në drejtimin e duhur” pasi 14 shtete anëtare votuan në favor të këtij veprimi, transmeton Anadolu.
Rezoluta e hartuar nga SHBA-ja të enjten u miratua me 14 vota pro dhe një abstenim nga Kina, duke shënuar një konsensus të rrallë në këshill për lehtësimin e kufizimeve të lidhura me udhëheqjen e Sirisë.
“Kjo është hera e parë pas një kohe të gjatë që Këshilli i Sigurimit ka rënë dakord për diçka; për fat të mirë, ishte diçka që lidhej me Sirinë”, tha Sharaa në një intervistë me “Asharq News TV” në margjinat e samitit të klimës COP30 në Brazil.
“Është e paarsyeshme që një kryetar shteti të mbetet i sanksionuar ndërkohë që ruan marrëdhënie të gjera me të gjitha këto vende të përfshira”, shtoi ai.
Ai tha se Siria kishte arritur të ndërtonte konsensus midis kombeve që rrallë bien dakord për çështjet globale, duke e përshëndetur këtë veprim si “një shenjë pozitive që mund të jetë fillimi i zgjidhjes së shumë problemeve të pazgjidhura në botë”.
Presidenti sirian vlerësoi disa shtete për mbështetjen e përpjekjeve diplomatike që çuan në heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, duke përfshirë Arabinë Saudite, Turqinë, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordaninë.
Sharaa tha se shpreson të diskutojë të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Siri me Presidentin Donald Trump gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë të hënën e ardhshme.
Sharaa dhe delegacioni i tij ndodhen në Belem të Brazilit për të marrë pjesë në samitin e krerëve të shteteve të COP30. Kjo shënon herën e parë që një president sirian merr pjesë në një konferencë të OKB-së për klimën që nga fillimi i procesit në vitin 1995.



