Fidan: Turqia e gatshme të presë raund tjetër të bisedimeve Ukrainë-Rusi dhe një samit liderësh në Stamboll

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se Ankaraja beson se diplomacia mbetet një rrugë e vlefshme drejt një zgjidhjeje paqësore në Ukrainë, duke ritheksuar gatishmërinë e saj për të pritur një raund të katërt bisedimesh dhe një samit të mundshëm të liderëve në Stamboll, raporton Anadolu.

“Ne riafirmojmë gatishmërinë tonë për të pritur një raund të katërt bisedimesh dhe një samit të mundshëm të liderëve në Stamboll”, tha Fidan në Forumin Botëror të TRT-së (TRT World Forum) në Stamboll.

Fidan kujtoi rolin kritik të vendit të tij në lehtësimin e dialogut mes Rusisë dhe Ukrainës, duke theksuar se Turqia priti tri raunde bisedimesh dhe mbështeti shkëmbimet e të burgosurve.

“Si vend që mban dialog konstruktiv me të dyja palët, Turqia arriti të lehtësojë kthimin e tyre në tryezën e negociatave përmes procesit të Stambollit”, shtoi ai.

“Veprimet tona, të bazuara në multilateralizëm dhe përkujdesje rajonale, do të vazhdojnë të formësojnë parametrat e së ardhmes sonë të përbashkët”, tha ai, duke shtuar: “Turqia do të vazhdojë të mbrojë dialogun dhe diplomacinë si gurin e themelit të politikës sonë të jashtme”.

Ai nënvizoi se Ankaraja do të punojë ngushtë me të gjithë partnerët që synojnë ndërtimin e një sistemi më të drejtë, më të balancuar dhe vërtet përfaqësues ndërkombëtar.

Shefi i diplomacisë turke i bëri këto deklarata në hapjen e një sesioni të titulluar “Rikthimi i diplomacisë me rrezik të lartë: Fuqitë e mesme dhe rendi i ri multipolar” gjatë Forumit Botëror të TRT-së, i mbajtur në Stamboll me temën “Ristrukturimi global: Nga rendi i vjetër te realitetet e reja”.

Ai theksoi se fuqitë e mëdha po humbasin funksionalitetin ndërsa institucionet që duhet të ruajnë stabilitetin rajonal po përballen me kriza komplekse, dhe njerëzimi po shkon drejt multipolaritetit. “Vizionin tonë e kemi të qartë: qëndrojmë fuqishëm në anën e bashkëpunimit, dialogut dhe multilateralizmit gjithëpërfshirës”.

“Nëse do ta përshkruanim sistemin aktual ndërkombëtar me një fjalë, padyshim që do të ishte pasiguria”, tha ai, duke theksuar se parametrat tradicionalë që formësojnë politikën globale po ndryshojnë.

“Në kohë të tilla të trazuara, detyra jonë kryesore është të mbështesim solidaritetin dhe bashkëpunimin për sigurinë dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm”, nënvizoi Fidan.

“Duhet para së gjithash të ringjallim një sistem ndërkombëtar më të fortë dhe të reformuar, të bazuar në partneritet global dhe sinergji”, tha ai, duke shtuar se për ta bërë këtë, “duhet të ristrukturojmë sistemin ndërkombëtar sipas dy kërkesave kryesore: reformimi i institucioneve globale me qasje gjithëpërfshirëse dhe forcimi i bashkëpunimit përmes përkujdesjes rajonale”.

Kërkesa e parë, tha Fidan, lidhet kryesisht me OKB-në, duke shtuar se “sfida me të cilën përballemi sot nuk është mungesa e rregullave, por zbatimi i tyre i pabarabartë”.

Ai përsëriti qëndrimin e Ankarasë në favor të një strukture më demokratike, veçanërisht sa i përket Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke thënë se privilegjet për disa duhet të zëvendësohen me një kornizë që u shërben të gjithëve dhe se ndikimi global në rritje kërkon përfaqësim të drejtë.

– “Stabiliteti nuk mund të imponohet; ai duhet kultivuar”

Fidan tha se krizat shpesh burojnë nga dinamika rajonale dhe prandaj duhet të trajtohen përmes përgjegjësisë dhe zgjidhjeve rajonale.

Duke përmendur përpjekjet stabilizuese të Turqisë në Ballkan, Kaukazin e Jugut, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ai tha: “Krizat nuk lindin në boshllëk; ato zakonisht burojnë nga kontekste rajonale dhe duhet të zgjidhen përmes përgjegjësisë dhe zgjidhjeve rajonale. Stabiliteti nuk mund të imponohet; ai duhet kultivuar. Kështu ne i kthejmë parimet në rezultate, duke e kthyer dialogun në besim dhe besimin në stabilitet”.

Ai theksoi se kur shtetet marrin përgjegjësi për paqen dhe prosperitetin në rajonet e tyre, sistemi global fiton besueshmëri. Por ai paralajmëroi se “kur këto mekanizma dështojnë, kur drejtësia bëhet selektive dhe llogaridhënia mungon”, çmimi paguhet me “vuajtje njerëzore,” siç shihet më qartë në Gaza.

– “Duhet të sigurojmë që Gaza të qeveriset nga palestinezët”

Nën udhëheqjen morale dhe politike të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqia ka punuar që ditën e parë për të ndalur gjenocidin në Gaza dhe për të siguruar drejtësi, tha Fidan, duke përmendur nismën e Ankarasë për formimin e Grupit të Kontaktit të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe Ligës Arabe.

Ai tha se grupi ka ngritur ndjeshëm ndërgjegjësimin ndërkombëtar dhe ka luajtur rol kyç në kundërshtimin e qasjeve të njëanshme dhe hapjen e rrugës për njohjen e shtetit të Palestinës.

Fidan përmendi edhe takimin e Erdoganit në shtator në Nju Jork me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe liderë të tetë vendeve myslimane, si një hap të rëndësishëm që vendosi bazat për marrëveshjen e arritur në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

“Edhe pse marrëveshja e armëpushimit mbetet e brishtë për shkak të agresionit të vazhdueshëm të Izraelit, ajo megjithatë ofron një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Gaza. Duhet të sigurojmë zbatimin e saj të plotë”, theksoi Fidan.

“Armëpushimi nuk është qëllim në vetvete; paqja e drejtë dhe e qëndrueshme në rajon mund të arrihet vetëm përmes realizimit të zgjidhjes me dy shtete”, shtoi ai.

Kryediplomati turk nënvizoi se për të ruajtur dhe forcuar momentin aktual, “duhet të sigurojmë që Gaza të qeveriset nga palestinezët”, duke shtuar se procesi duhet të zbatohet me vendosmëri dhe me angazhimin aktiv të të gjitha palëve të rëndësishme.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button