Dhjetëra mijëra hebrenj ultra-ortodoksë protestojnë në Kudsin Perëndimor kundër rekrutimit ushtarak

Dhjetëra mijëra hebrenj ultra-ortodoksë u mblodhën sot në Kudsin Perëndimor për një protestë masive kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit publik të Izraelit KAN, protesta u thirr nga rabinët Haredi dhe këshillat e studentëve të Torahut kundër asaj që ata e përshkruajnë si “një sulm ndaj identitetit të shoqërisë fetare dhe shkelje të lirisë për të studiuar fenë”.
Policia tha se qindra mijëra protestues po marrin pjesë në protestë, duke e bërë atë një nga demonstratat më të mëdha fetare në historinë e vendit, tha KAN. Partitë ultra-ortodokse në Parlamentin izraelit thanë se do të vazhdojnë të bëjnë presion për të hequr ligjin e rekrutimit, duke shtuar se “ruajtja e karakterit të shoqërisë fetare është vijë e kuqe e paprekshme”.
Sipas faqes së lajmeve “The Times of Israel”, 6.975 hebrenj Haredi janë shpallur shmangës të rekrutimit në muajt e fundit, 870 prej të cilëve u arrestuan.
Hebrenjtë Haredi, të cilët përbëjnë rreth 13 për qind të popullsisë prej 10 milionë banorësh të Izraelit, pretendojnë se shërbimi ushtarak kërcënon identitetin e tyre fetar dhe strukturën e komunitetit ndërsa ia kushtojnë jetën studimit të Torës. Rabinët e njohur i kanë nxitur ithtarët të refuzojnë rekrutimin dhe të “shkëputin urdhrat e regjistrimit”.
Për dekada të tëra, shumica e burrave ultra-ortodoksë shmangën shërbimin përmes shtyrjeve të përsëritura për studime fetare deri në arritjen e moshës së përjashtimit, aktualisht të vendosur në 26-vjeç.
Ligjvënësit e opozitës akuzojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu se po nxit legjislacionin për të përjashtuar përgjithmonë Haredët për të përmbushur kërkesat e partive ultra-ortodokse Shas dhe United Torah Judaism, të cilat të dyja u larguan nga koalicioni në fillim të këtij viti, por pritet të ribashkohen sapo të miratohet ligji i tillë.



