“Associated Press”: SHBA-ja refuzoi planin që parashikon tërheqjen graduale të Maduros nga detyra

Sipas burimeve që kanë folur për Associated Press (AP), zyrtarët e qeverisë venezueliane pretendohet se i kanë paraqitur SHBA-së një plan për largimin gradual nga detyra të presidentit Nicolas Maduro, por se Washingtoni nuk e ka mirëpritur këtë propozim, transmeton Anadolu.
Sipas një ish-zyrtari të qeverisë federale amerikane që ka folur për AP në kushte anonimiteti, plani parashikon që Maduro të largohet nga detyra brenda tre vitesh dhe t’ia dorëzojë pushtetin zëvendëspresidentes Delcy Rodriguez.
Në kuadër të planit Rodriguez do ta përfundojë mandatin e Maduros i cili zgjat deri në janar 2031, njoftoi zyrtari i cili tha se Rodriguez nuk do të kandidojë sërish për rizgjedhje.
Zyrtari pretendon se Shtëpia e Bardhë nuk e ka mirëpritur planin sepse beson që zëvendësimi i Maduros me zëvendësen e tij nuk do të sillte ndryshime themelore në qeveri.
– Maduro dhe Rodriguez i mohuan pretendimet
Duke folur në një program televiziv mbi këtë temë, Maduro mohoi akuzat se zëvendësja e tij Rodriguez do ta zëvendësonte atë, duke e quajtur atë “një përpjekje për të përçarë popullin venezuelian”.
Edhe Rodriguez në një postim në llogarinë e saj në Telegram, i përshkroi pretendimet në fjalë si “lajme të rreme” dhe deklaroi se raportime të tilla janë pjesë e një “lufte psikologjike” që po zhvillohet kundër popullit venezuelian.
– Tensionet midis SHBA-së dhe Venezuelës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka urdhëruar përdorim më të madh dhe më efektiv të ushtrisë për të luftuar kartelet e drogës në Amerikën e Jugut. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka deklaruar se ushtria amerikane është gati për operacione në Venezuelë, përfshirë ndryshimin e regjimit.
Më 8 gusht, qeveria amerikane njoftoi gjithashtu se kishte rritur shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e Maduros nga 25 milionë dollarë në 50 milionë dollarë.
Në përgjigje të këtyre hapave, Maduro tha se ka mobilizuar 4.5 milionë forca militare në vend dhe ishte gati të zprapste çdo sulm.
Në anën tjetër, shënjestrimi nga SHBA-ja i disa anijeve në brigjet e Venezuelës me arsyetimin për “trafik droge” ka shkaktuar kritika si nga qeveria venezueliane ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe për sulmet e kryera, është mbrojtur ideja se janë “në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”.



