Misioni i OKB-së në Kabul përshëndet armëpushimin midis Afganistanit dhe Pakistanit

Misioni i OKB-së në Kabul përshëndeti marrëveshjen e armëpushimit midis Afganistanit dhe Pakistanit, transmeton Anadolu.
Afganistani dhe Pakistani ranë dakord të mërkurën për një armëpushim 48-orësh pas rifillimit të përleshjeve kufitare midis dy palëve që nga nata e së martës.
Misioni i Ndihmës i OKB-së në Afganistan (UNAMA), në një deklaratë zyrtare u bëri thirrje të gjitha palëve “t’u japin një fund të përhershëm armiqësive për të mbrojtur civilët dhe për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetës dhe u kujtoi të gjitha palëve detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar për t’iu përmbajtur parimeve kryesore të dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake për të parandaluar viktimat civile”.
Ai tha se të paktën 18 civilë janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në palën afgane në përleshjet e fundit.
Gjatë javës së fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar disa nga përleshjet e tyre më vdekjeprurëse që nga viti 2021, kur talebanët afganë u rikthyen në pushtet në Kabul.
Tensionet e fundit filluan javën e kaluar kur Kabuli akuzoi Islamabadin për shkelje të hapësirës ajrore afgane, duke çuar në përleshje të shtunën në mbrëmje, të cilat përfunduan pas ndërmjetësimit nga Katari dhe Arabia Saudite.



