Ligjvënësja amerikane thotë se Izraeli “rrëmbeu ilegalisht” aktivistët në flotën e ndihmës

Një ligjvënëse e njohur amerikane dënoi ashpër të premten Izraelin për ndalimin e qindra aktivistëve, përfshirë shtetas amerikanë, të cilët kishin ndërmarrë një mision për të dërguar ndihma në Rripin e Gazës nën rrethim, duke e quajtur veprimin izraelit të paligjshëm, transmeton Anadolu.
“Qeveria izraelite ka rrëmbyer në mënyrë të paligjshme mbi 450 pjesëmarrës të Flotiljes Globale ‘Sumud’, përfshirë gati dy duzina shtetas amerikanë”, shkroi në platformën amerikane X përfaqësuesja demokrate Rashida Tlaib.
“Ne duhet të kërkojmë lirimin e tyre të menjëhershëm dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimi dhe torturat në paraburgimin izraelit. Përfundoni rrethimin dhe gjenocidin në Gaza tani”, shtoi ajo.
Sipas të dhënave më të fundit nga Komiteti Ndërkombëtar për Thyerjen e Rrethimit të Gazës, një nga organizatorët kryesorë të flotiljes, Izraeli sulmoi dhe sekuestroi 42 anije të flotiljes.
Kjo ishte hera e parë pas shumë vitesh që dhjetëra anije lundruan së bashku drejt Gazës, duke transportuar 532 aktivistë civilë të solidaritetit nga më shumë se 45 vende.
Izraeli ka mbajtur një bllokadë ndaj Gazës për 18 vjet. Gati 1,5 milionë palestinezë, nga një popullsi prej rreth 2.4 milionë banorësh, kanë mbetur pa shtëpi mes zhvendosjeve masive të shkaktuara nga sulmet izraelite në gjithë territorin palestinez.