9 anije të Flotiljes “Një mijë Madlene” vazhdojnë drejt Gazës në përpjekje për të thyer bllokadën izraelite

Organizata ndërkombëtare Flotilja Globale “Sumud” ka bërë të ditur se nëntë anije të reja kanë arritur në brigjet veriore të qytetit egjiptian Marsa Matruh dhe po vazhdojnë udhëtimin e tyre drejt Rripit të Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite, transmeton Anadolu.
Flotilja tha se “lëvizja globale komulative duhet të vazhdojë, çdo port, çdo rrugë, çdo shesh”.
“Ne nuk do të ndalemi. Nëntë anije të Flotiljes ‘Një mijë Madlene tani kanë mbërritur në veri të qytetit Marsa Matruh, në rrugën e tyre për në Gaza”, tha flotilja.
Dje, Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC) tha se 11 anije të tjera po lundrojnë drejt Rripit të Gazës për të thyer bllokadën shumëvjeçare izraelite. Sipas koalicionit, rreth 100 persona ndodhen në anije, pranë brigjeve të Kretës.
FFC-ja, e themeluar në vitin 2008, nisi dhjetëra misione që synonin shpërndarjen e ndihmës dhe tërheqjen e vëmendjes globale ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar nga Izraeli.
Grupi i ri i anijeve vjen dy ditë pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije që lundronin drejt Gazës për të sfiduar bllokadën izraelite dhe ndaluan më shumë se 450 aktivistë në bord.
Izraeli, si fuqi pushtuese, më herët ka sulmuar anijet që shkonin në Gaza, ka sekuestruar ngarkesën e tyre dhe ka deportuar aktivistë në bord.
Izraeli tashmë gati 18 vjet vazhdon të mbajë nën bllokadë Gazën, ku banojnë rreth 2.4 milionë njerëz dhe e ka shtrënguar më tej rrethimin në muajin mars kur mbylli kalimet kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën në uri.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 66.200 palestinezë në Rripin e Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. OKB-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar vazhdimisht se enklava po bëhet e pabanueshme, me urinë dhe sëmundjet që po përhapen me shpejtësi.