Tetori fillon me çmime më të shtrenjta të cigareve

Që nga 29 shtatori, çmimet e cigareve në Maqedoni janë rritur për rreth 10 denarë për paketim. Edhe pse një pjesë e konsumatorëve ende nuk e ndiejnë plotësisht shtrenjtimin për shkak të stokut me çmim të vjetër, prodhuesit paralajmërojnë se në ditët në vijim çmimi i ri do të reflektohet plotësisht në pikat e shitjes.
Rritja prek markat e njohura si Dunhill, Lucky Strike, Pall Mall dhe Rothmans. Është e rëndësishme të theksohet se ndryshimi nuk është rezultat i rritjes së akcizës apo tatimeve shtetërore, por pjesë e politikës së çmimeve të prodhuesve.
Sipas analizave të tregut, çmimet po përshtaten me rritjen e kostove të prodhimit dhe logjistikës, si dhe me trendet në rajon. Përdoruesit paralajmërohen se ky është vetëm hapi i parë drejt një tjetër shtrenjtimi, ndërsa paketimet me çmimin e vjetër që ende janë të disponueshme, së shpejti do të zhduken nga tregu.