Qeveria amerikane mbyllet pasi Senati nuk arriti të miratojë projektligjin e shpenzimeve

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka hyrë në një “shutdown” të pjesshëm, pasi përpjekjet e fundit të ligjvënësve për të miratuar një projektligj shpenzimesh dështuan.
Financimi për mbajtjen funksionale të qeverisë federale përfundoi në orën 00:01 me orën e Uashingtonit (04:01 GMT) të mërkurën, pasi demokratët dhe republikanët në Senat hodhën poshtë propozimet rivale për një zgjidhje të përkohshme.
Që nga viti 1980, qeveria amerikane është mbyllur mbi një duzinë herë, por kërcënimet e presidentit Donald Trump se do ta përdorë këtë situatë për të reduktuar ndjeshëm sektorin publik, kanë ngritur shqetësime se ndërprerja aktuale mund të sjellë pasoja më të mëdha se më parë.
Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të martën, Trump paralajmëroi se mund të ndërmarrë hapa “të këqij” për demokratët gjatë periudhës së mbylljes.
“Ne mund të bëjmë gjëra gjatë ‘shutdown’-it që janë të pakthyeshme, që janë të këqija për ta dhe që ata nuk mund t’i rikthejnë, si heqja e një numri të madh njerëzish, shkurtimi i gjërave që atyre u pëlqejnë, shkurtimi i programeve që ata duan”, tha Trump, duke shtuar se “nga mbylljet e qeverisë mund të dalin edhe gjëra të mira”.
Ky është “shutdown”-i i parë që nga viti 2018 dhe do të thotë se disa shërbime qeveritare të konsideruara jo të domosdoshme do të ndalen, përfshirë publikimin e të dhënave ekonomike dhe miratimin e kredive për bizneset e vogla. Punonjësit esencialë si forcat e sigurisë, ushtarakët dhe kontrollorët e trafikut ajror do të vazhdojnë punën, por pa pagesë gjatë gjithë periudhës së mbylljes. Pagesat e sigurimeve shoqërore dhe ndihmës ushqimore do të vazhdojnë të shpërndahen.
Ndryshe nga mbylljet e kaluara, kur qindra mijëra punonjës federalë u dërguan përkohësisht në shtëpi dhe më pas morën pagat e prapambetura, këtë herë Trump ka kërcënuar se do të pushojë nga puna “shumë njerëz”.
“Dhe ata janë demokratë; ata do të jenë demokratë,” tha ai.
Richard Painter, ish-këshilltar i etikës në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin George W. Bush, e quajti këtë qasje “taktikë tipike të forcës” nga Trump.
“Ai po i kërcënon punonjësit federalë me pushim nga puna nëse ndodh një mbyllje,” tha Painter për Al Jazeera. “Disa nga gjërat që ai po kërcënon mund t’i bëjë, por shumë prej tyre nuk janë të autorizuara nga Kongresi, përfshirë pushimin nga puna të atyre që kanë mbrojtje në shërbimin civil.”
Mbyllja e së mërkurës pason javë të tëra përplasjesh mes demokratëve dhe republikanëve për mënyrën si të mbahet qeveria hapur. Demokratët hodhën poshtë një projektligj të përkohshëm të hartuar nga republikanët, duke argumentuar se ai nuk përfshinte zgjerimin e mbulimit shëndetësor, zgjatjen e subvencioneve të Obamacare dhe rikthimin e fondeve të prera nga Medicaid. Republikanët ngulnin këmbë se çështje si shëndetësia duhen trajtuar më vonë, përmes negociatave bipartizane.
Në përpjekjen e fundit për ta shmangur “shutdown”-in, republikanët e Senatit dështuan të kalojnë një projektligj që do ta shtynte financimin deri më 21 nëntor, duke marrë 55 vota pro dhe 45 kundër – duke mos arritur pragun e 60 votave. Nga demokratët, John Fetterman, Catherine Cortez Masto dhe pavarësi Angus King votuan me republikanët. Ndërkohë, senatori republikan Rand Paul iu bashkua demokratëve në votën kundër.
Edhe projektligji i demokratëve për të zgjatur financimin deri në fund të tetorit dhe për të shtuar mbi 1 trilion dollarë për shëndetësinë u rrëzua me 47 vota pro dhe 53 kundër, pa asnjë mbështetje republikane.
Pas dështimeve, të dyja palët shkëmbyen akuza.
“Republikanët po na çojnë drejt mbylljes së qeverisë në vend që të zgjidhin krizën e tyre të shëndetësisë,” tha Chuck Schumer, lideri i demokratëve në Senat.
Hakeem Jeffries, kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, i akuzoi republikanët se “po votojnë për të dëmtuar amerikanët e zakonshëm”.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë publikoi në rrjete sociale një imazh me një orë numërimi që tregonte zero, shoqëruar me dy fjalët: “Democrat Shutdown”.
Lideri i shumicës republikane në Senat, John Thune, shprehu shpresë se në votimin pasues do të ketë mjaft demokratë që të kalojnë projektligjin “e pastër” të partisë së tij.
“Kjo ishte krejt e panevojshme. U bë vetëm për të kënaqur bazën e tyre politike të majtë,” tha ai.
Që nga viti 1980, qeveria amerikane është mbyllur 15 herë, sipas Qendrës Bipartizane të Politikave. Më i gjati, që zgjati 34 ditë, ndodhi në fund të vitit 2018 dhe fillim të vitit 2019, gjatë mandatit të parë të Trumpit.