Hyjnë në fuqi gjobat për këmbësorët që kalojnë vijat e bardha me telefon në dorë ose kufje

Këmbësorët që kalojnë rrugën duke folur njëkohësisht në telefon celular, duke përdorur kufje në të dy veshët, orë inteligjente apo tablet, nga sot do të sanksionohen. Të njëjtat rregulla vlejnë edhe për drejtuesit e biçikletave, mopedëve, motoçikletave, triciklave dhe katërçiklave, të cilët sipas ligjit gjatë drejtimit nuk guxojnë të përdorin pajisje elektronike.

Këshilli Republikan për Sigurinë Rrugore (KRRSR) informon se nga sot hyjnë në fuqi ndryshimet në Ligjin për sigurinë e trafikut rrugor, të cilat janë miratuar me qëllim përmirësimin e sigurisë së kategorive më të cenueshme të pjesëmarrësve dhe zvogëlimin e numrit të aksidenteve të shkaktuara nga pakujdesia.

“Zgjidhjet e reja ligjore janë futur për të eliminuar disa zakone tek këmbësorët dhe drejtuesit e disa kategorive mjetesh. Kështu, me ligjin e ri parashihet që edhe drejtuesi i trotinetit elektrik gjatë vozitjes nuk guxon të përdorë pajisje elektronike si kufje në të dy veshët, telefon celular, tablet ose orë inteligjente, sepse ato e ulin vëmendjen, stabilitetin dhe aftësinë për ta drejtuar mjetin në mënyrë të sigurt. Përjashtim bëjnë pajisjet e specializuara të komunikimit të integruara në helmetat mbrojtëse,” thekson KRRSR.

Me ndryshimet futen standarde të reja për sjellje të përgjegjshme në trafik, ku këmbësorët, çiklistët, drejtuesit e trotineteve elektrike dhe pjesëmarrësit e tjerë do të duhet të lëvizin dhe të drejtojnë pa përdorur pajisje elektronike që ua shpërqendrojnë vëmendjen.

KRRSR thekson se qëllimi i ndryshimeve është krijimi i kushteve më të sigurta në rrugë, ulja e rreziqeve dhe mbrojtja e jetës njerëzore. Këshilli u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat, duke kujtuar se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button