Mbi 2 milionë imigrantë të paligjshëm janë larguar nga SHBA-ja për shkak të masave të Trumpit

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) njoftoi të martën se më shumë se dy milionë imigrantë të paligjshëm janë larguar nga SHBA-ja që nga 20 janari, duke shënuar atë që zyrtarët e quajtën moment historik në goditjen e presidentit Donald Trump kundër imigracionit të paligjshëm, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi për media të DHS-së, totali përfshin rreth 1.6 milionë “vetëdeportime” vullnetare dhe mbi 400 mijë deportime formale në më pak se 250 ditë. Agjencia tha se është në rrugën e duhur për të deportuar gati 600 mijë njerëz deri në fund të vitit të parë të Trumpit në detyrë.
“Shifrat nuk gënjejnë: dy milionë imigrantë të paligjshëm janë larguar ose vetëdeportuar në vetëm 250 ditë, duke dëshmuar se politikat e presidentit Trump dhe lidershipi i Sekretares (Kristi) Noem po funksionojnë dhe po i bëjnë komunitetet amerikane të sigurta”, ka thënë ndihmëssekretarja Tricia McLaughlin.
“Zbatimi i shtuar i ligjit për imigracionin që synon më të keqen e më të keqes po largon çdo ditë gjithnjë e më shumë të huaj të paligjshëm kriminelë nga rrugët tona dhe po i dërgon një mesazh të qartë kujtdo tjetër në këtë vend në mënyrë të paligjshme: Vetëdeportohuni ose do t’ju arrestojmë dhe deportojmë”, ka paralajmëruar McLaughlin.
DHS-ja tha se për katër muaj rresht, Dogana dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së nuk ka liruar asnjë hyrës të paligjshëm, duke cituar një studim të OKB-së që tregon rënie prej 97 për qind të migrimit në drejtim të veriut nga Amerika Qendrore që nga hyrja në fuqi e politikave të Trumpit.
Pothuajse gjysma e migrantëve të mundshëm të anketuar kanë braktisur planet e tyre sepse besonin se “do të ishte e pamundur të hynin në SHBA nën presidentin Trump”, sipas agjencisë.
Departamenti ia atribuoi “Ligjit të Madh dhe të Bukur” të Trumpit përshpejtimin e punësimit në Agjencinë e Zbatimit të Ligjit për Imigracionin dhe Doganat (ICE), e cila tha se ka marrë më shumë se 150 mijë aplikime për punë në javët e fundit si dhe zgjerimin e kapacitetit të arrestimeve përmes marrëveshjeve të reja në 40 shtete.
DHS-ja theksoi se “epoka e kufijve të hapur ka mbaruar”, duke premtuar zgjerim të vazhdueshëm të arrestimeve dhe deportimeve.



