Atentati ndaj Trump/ Ryan Routh shpallet fajtor, dënohet me burgim të përjetshëm

Ryan Routh, është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje të presidentit amerikan Donald Trump në fushën e tij të golfit në West Palm Beach. 59-vjeçari akuzohej për pesë akuza penale, përfshirë tentativën për vrasje të një kandidati për president, armëmbajtje pa leje në kryerje të një akti dhune dhe sulm ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret.
The Guardian shkruan se prokurorët deklaruan se Routh kishte blerë një armë të klasit ushtarak, kishte ndjekur lëvizjet e Trump dhe kishte përdorur mbi 12 telefona të përkohshëm në përpjekje për të realizuar atentatin. Sipas prokurorisë, Routh kishte bërë 17 vizita në fushën e golfit të Trump për ta vëzhguar, ndërsa në të kaluarën ishte përpjekur të rekrutonte luftëtarë nga Afganistani, Moldavia dhe Tajvani për të luftuar në Ukrainë kundër forcave ruse.
Në gjyq, dy dëshmitarë treguan se Routh u kishte dërguar një kuti pesë muaj para ngjarjes, e mbushur me tela, fishekë dhe një letër 12-faqëshe ku thuhej: “Kjo ishte një tentativë për të vrarë Donald Trump, por dështova. Dhurova gjithçka që kisha. Tani është radha juaj për të përfunduar punën.”
Ngjarja ndodhi më 15 shtator 2024, kur Routh u kap me pushkë në shkurre, ndërsa Trump dhe grupi i tij po i afroheshin vendit të ngjarjes. Pas një periudhe të shkurtër diskutimesh, juria e shpalli fajtor për të gjitha akuzat. Ai tani përballet me dënimin me burgim të përjetshëm. Ngjarja ndodhi vetëm nëntë javë pas një tjetër tentative për vrasje ndaj Trump gjatë një mitingu në Butler, Pennsylvania, ku Trump mbeti i lënduar lehtë pas një goditjeje me plumb në vesh.