VLEN: Hasanbegu, nga tragjedia drejt shpresës, investimi madhor që sjell siguri dhe zhvillim

VLEN mirëpret me entuziazëm nisjen e rikonstruksionit të plotë të kanalit atmosferik në Hasanbeg, një projekt jetik për sigurinë dhe të ardhmen e banorëve. Ky investim madhor prej 38 milionë denarësh është më shumë se një projekt infrastrukturor, është një kthesë për Hasanbegun dhe një garanci se tragjeditë e së kaluarës nuk do të përsëriten më kurrë.
Në ngjarjen e sotme, krahas zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, i cili theksoi vendosmërinë e qeverisë për t’i dhënë fund epokës së neglizhencës dhe harresës, i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari Afrim Gashi, duke treguar qartë se ky projekt gëzon mbështetjen më të lartë institucionale dhe politike.
Hasanbegu, i cili në vitin 2016 përjetoi tragjedinë më të madhe të shkaktuar nga përmbytjet ku humbën jetën 23 qytetar, po e sheh sot një tjetër realitet: punë konkrete, investime serioze dhe përkushtim maksimal për jetën dhe pronën e banorëve. Ky është përgjigjja më e fuqishme ndaj harresës dhe papërgjegjësisë së qeverisjeve të kaluara.
Kanali me gjatësi prej 1350 metrash dhe gjerësi deri në 10 metra do të rikonstruktohet tërësisht, duke u shndërruar në barrikadën më të fortë kundër përmbytjeve. Ky është një shembull i shkëlqyer se çfarë do të thotë kur qeveria dhe komunat punojnë bashkë, duke dëgjuar zërin e qytetarëve dhe duke vendosur jetën mbi gjithçka.
VLEN thekson se Hasanbegu nuk do të jetë më sinonim i harresës dhe dhimbjes, por i sigurisë, zhvillimit dhe besimit në institucione. Ky është vetëm fillimi i një epoke të re, ku qytetarët nuk mbeten viktima të mungesës së investimeve, por përfitues të punës, vizionit dhe përgjegjësisë.
Ne jemi të vendosur që kjo frymë e re të prekë çdo cep të vendit. Hasanbegu po ngrihet mbi plagët e së kaluarës, duke hyrë në një kapitull të ri: kapitullin e sigurisë, dinjitetit dhe zhvillimit.



