VLEN: Ekonomia e së ardhmes po ndërtohet, vizion i gjelbër, digjital dhe gjithëpërfshirës për qytetarët

Qeveria VLEN po dëshmon çdo ditë se është partnere e qytetarëve dhe e sipërmarrjes, duke e orientuar ekonominë e vendit drejt standardeve evropiane dhe zhvillimit modern. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, mori pjesë në konferencën më të madhe të biznesit në vend, “Udhëheqës biznesi”, ku paraqiti vizionin e qartë për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese.
Ky vizion mbështetet mbi tri shtylla kryesore: transformimi i gjelbër, digjitalizimi dhe inovacioni. Përmes partneritetit të fortë mes sektorit publik dhe privat, Qeveria po krijon kushte që të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend, kompanitë të forcohen dhe të rritet standardi i jetesës për të gjithë qytetarët.
Në këtë drejtim, tashmë janë në zbatim: Ligji për Mbështetje Financiare për Investime, Ligjet për zonat teknologjike-industriale dhe industriale të gjelbra, Strategjia për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme 2025–2030 dhe Plani i Veprimit 2025–2027.
Përmes këtyre instrumenteve, janë vënë në dispozicion 4.23 miliardë denarë mbështetje financiare, ku 1.77 miliardë denarë sigurohen nga buxheti i shtetit.
Në fokus është gjithashtu Plani Operativ për Punësim 2025, me buxhet prej 2.5 miliardë denarësh, i cili do të përfshijë mbi 16.000 qytetarë përmes trajnimeve, praktikave dhe vetëpunësimit. Ndërkohë, që nga 1 janari 2026, do të hyjë në fuqi Ligji i ri i Punës, që synon uljen e punës informale dhe rritjen e punësimit, veçanërisht në mesin e punëtorëve sezonal.
Këto politika janë dëshmi se VLEN po ndërton një ekonomi moderne dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo vend pune dhe çdo investim në dije e teknologji është investim në të ardhmen e vendit.
Qeveria e VLEN e sheh ekonominë si projekt kombëtar, ku çdo sukses i biznesit është sukses i shtetit. Ndryshimi tashmë është i prekshëm: një ekonomi më e fortë, më humane dhe më konkurruese po merr formë, duke garantuar perspektivë për qytetarët dhe zhvillim të qëndrueshëm për gjeneratat që vijnë.