Deponitë me mbeturina të përziera janë ndër më të rrezikshmet

Tymi dhe mjegulla që këto ditë mbuluan pjesë të Shkupit shkaktuan shqetësim të madh tek banorët. “Fajtorët” për këtë situatë, deponitë e Drisllës dhe Vardarishtes, tashmë janë nën vëzhgimin e policisë dhe sigurimit privat për të parandaluar ndezjet e qëllimshme, por kjo nuk i qetësoi reagimet. Për shkak të afërsisë me kryeqytetin, të dyja deponitë përveç tymit dhe mjegullës lëshojnë edhe erëra të forta, gjë që i shqetëson qytetarët se mund t’u dëmtojnë shëndetin.

Profesori i ventilimit industrial dhe rektori i Universitetit “Goce Dellçev”, dr. Dejan Mirakovski, i cili drejton laboratorin për matjen e ndotësve në ajër AMBIKON, tha për DW se deponitë me mbeturina të përziera komunale janë ndër objektet më të rrezikshme për nga rreziku i zjarreve, të cilat është e vështirë të kontrollohen dhe mund të zgjasin shumë kohë.

“Ka raste në botë kur zjarret në deponi zgjasin me vite. Arsyeja janë proceset e shpërbërjes biologjike të mbetjeve organike – ushqime, mbetje bujqësore dhe të kopshtit, të cilat çlirojnë metan (CH4). Metani është një gaz tepër i ndezshëm, i cili, nëse nuk drenohet përmes sistemeve të posaçme të evakuimit, mund të grumbullohet në zgavra dhe, në kombinim me nxehtësinë dhe sasinë e madhe të materialeve të lehta djegëse si plastika, tekstili, letra, druri dhe materiet organike, mund ta ndezin dhe ta mbajnë zjarrin për shumë kohë,” tha ai.

Drislla ndodhet në juglindje të Shkupit, rreth 14 km nga qendra, dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 76 hektarësh me kapacitet projektues prej 26 milionë metra kub mbetje. Në 26 vite shfrytëzim, është mbushur deri në 55% të kapacitetit, me 3.837.252 tonë mbeturina.

Plastika digjet si letër

Pavarësisht projeksioneve optimiste, shkupjanët u përballën me një “mini-katastrofë” në Drislla. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, deklaroi më 12 shtator se mbi shtresat e mbetjeve ka një shtresë plastike 1.5 metra të trashë. Ai gjithashtu njoftoi për zjarr edhe në deponinë e Shuto Orizares (Shutkës).

Profesori Mirakovski thekson:

“Plastika është karburant, njësoj si letra. Deponimi direkt pa përpunim e selektim, siç është rasti me Drisllën, është arsyeja kryesore e rrezikut të shtuar për zjarre. Proceset kimike të oksidimit, reaksionet mes acideve e metaleve, tretësve e kimikateve të tjera reaktive, po ashtu rrisin rrezikun. Nuk mungojnë as faktorët e jashtëm si shkëndijat, zjarret sipërfaqësore apo edhe ndezjet e qëllimshme.”

Ish-ministri i Mjedisit, prof. dr. Zoran Shapurik, kujtoi për DW se që në vitin 2005 ishte miratuar plani i parë kombëtar për menaxhimin e mbeturinave, me synim ndërtimin e deponive moderne rajonale. Por sipas tij, deri më sot nuk është realizuar asgjë dhe asnjë deponi nuk përmbush standardet kombëtare apo të BE-së.

Vardarishtja me përzierje shpërthyese

Studimet e bëra për deponinë ilegale të Vardarishtes, rreth 7 km nga qendra, treguan që në vitin 2014 se aty kishte metale të rënda dhe gazra të deponisë, duke paralajmëruar rrezik shpërthimi dhe zjarresh. Megjithatë, kujdesi mungoi.

Shapurik shtoi se për sanimin e Vardarishtes është përgjegjës qyteti, por edhe shteti duhet të përfshihet, si dhe komunat që përfitojnë nga taksat lokale. Ai theksoi gjithashtu se edhe për partneritetin publik-privat në Drislla ka përvoja negative:

“Një projekt i tillë dështoi, pasi investitori privat për vite vetëm përfitonte pa investuar asgjë në modernizimin e deponisë.”

Edhe mbrëmjen e 12 shtatorit, pjesë të Shkupit u mbuluan nga era e pakëndshme e mbeturinave e plastikës së djegur, ndërsa qytetarët protestuan.

Profesor Mirakovski shpjegoi për DW se përhapja e gazrave të zjarrit varet nga faktorë të shumtë – shpejtësia dhe drejtimi i erës, shtresa kufitare e ajrit, presioni atmosferik etj.

“Nëse atmosfera është e qëndrueshme dhe nuk ka erë, gazrat për shkak të temperaturës më të lartë mund të përhapen e të qëndrojnë në hapësirë më gjatë. Por sa hapësirë mbulojnë dhe sa e lartë është koncentrimi i tyre, është e vështirë të thuhet pa analiza të detajuara.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button