Kryeparlamentari Gashi: Kuvendi miraton deklaratën për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka përshëndetur miratimin e Deklaratës për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, duke e cilësuar atë si një hap historik dhe mesazh uniteti.
“Jam i lumtur që në seancën e sotme plenare, me iniciativën time dhe në pajtim me pothuajse të gjitha grupet parlamentare, Kuvendi miratoi Deklaratën për zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike, deklarata e parë e këtij lloji që miratohet në Kuvend”, tha Gashi.
Ai e quajti deklaratën një udhërrëfyes për zgjedhje pa tensione, ku gara duhet të jetë mbi ide dhe vizione, e jo mbi përçarje.
“Kjo deklaratë është një mesazh i qartë uniteti dhe përgjegjësie përpara zgjedhjeve lokale të 19 tetorit. Është thirrje për kulturë politike, që ky proces të zhvillohet me pjekuri, qetësi dhe respekt, duke shmangur gjuhën e urrejtjes, korrupsionin dhe çdo tentativë për manipulim.”
Gashi gjithashtu theksoi rolin e mediave:
“Roli i mediave në promovimin e drejtë të ideve dhe platformave të kandidatëve është thelbësor për të krijuar një atmosferë pozitive dhe dinjitoze të zgjedhjeve.”
Në fund, ai shprehu besimin se vetëm përmes unitetit do të fitojë i gjithë vendi:
“Jam i bindur që vetëm të bashkuar në këtë proces zgjedhor me përkushtim ndaj vlerave demokratike do të fitojmë të gjithë ne dhe shteti ynë i përbashkët.”



