Asambleja e Përgjithshme e OKB-së voton sot për një shtet palestinez pa Hamasin

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mbajë sot një votim mbi mbështetjen e “Deklaratës së Nju Jorkut”, një rezolutë që bën thirrje për një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe Palestinës – duke përjashtuar Hamasin, raporton Al Jazeera, përcjell alfax.mk.
E paraqitur nga Franca dhe Arabia Saudite, deklarata është miratuar tashmë nga Liga Arabe dhe është bashkë-nënshkruar nga 17 shtete anëtare të OKB-së, përfshirë disa vende arabe.
Ajo u bën thirrje “veprimeve kolektive për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për të arritur një zgjidhje të drejtë, paqësore dhe të qëndrueshme të konfliktit izraelito-palestinez, të bazuar në zbatimin efektiv të zgjidhjes me Dy Shtete”.
Deklarata gjithashtu dënon sulmin e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit, kërkon lirimin e të gjithë pengjeve dhe shkon më tej duke i bërë thirrje Hamasit të çarmatoset dhe t’i dorëzojë kontrollin e Gazës.
“Në kontekstin e përfundimit të luftës në Gaza, Hamasi duhet t’i japë fund sundimit të tij në Gaza dhe t’i dorëzojë armët Autoritetit Palestinez, me angazhim dhe mbështetje ndërkombëtare, në përputhje me objektivin e një Shteti Palestinez sovran dhe të pavarur,” thuhet në deklaratë.
Votimi i sotëm i paraprin një samiti të ardhshëm të OKB-së, që do të bashkë-kryesohet nga Rijadi dhe Parisi më 22 shtator në Nju Jork, ku presidenti francez Emmanuel Macron ka premtuar të njohë zyrtarisht shtetin palestinez.