Trump “bekoi” sulmet izraelite në Katar

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, “bekoi” sulmin e Izraelit në Doha, Katar, që kishte si objektiv zyrtarë të lartë të Hamasit, thanë për Middle East Eye zyrtarë amerikanë dhe rajonalë.

Bombardimet duket se do të hapin një kapitull të ri të paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme.

Sipas raporteve mediatike, rreth 12 sulme ajrore goditën ndërtesa rezidenciale në Doha rreth orës 16:00, ora lokale.

Khalil al-Hayya, Khaled Meshal, Zaher Jabarin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Hamasit shpëtuan nga sulmi, raportoi MEE.

Sulmi vrau djalin e Hayya-s, Hammam al-Hayya, dhe drejtorin e zyrës së tij, Jihad Lubbad, thanë burimet për MEE. Disa të tjerë u plagosën.

Si zyrtarët rajonalë, ashtu edhe ata amerikanë thanë se SHBA-ja ishte njoftuar paraprakisht për sulmin.

Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se sulmi ishte “një operacion plotësisht i pavarur izraelit”, duke shtuar se: “Izraeli e inicioi, Izraeli e kreu dhe Izraeli merr përgjegjësinë e plotë.”

Disa zyrtarë amerikanë që zakonisht do të ishin në kontakt me qendrën operacionale amerikane në Doha raportuan heshtje radiofonike për MEE, duke lënë të kuptohet se komunikimet u ndërprenë për të lehtësuar operacionin.

Nuk dihet se çfarë projeksilesh të veçanta përdori Izraeli për të sulmuar Doha-n, por SHBA-ja dhe Katari koordinojnë mbrojtjen ajrore – ashtu siç bënë kur Irani sulmoi bazën amerikane Al-Udeid në qershor.

Një zyrtar tjetër amerikan i tha MEE se duke pasur parasysh sulmet e fundit iraniane dhe tensionet në rajon, siguria në Katar – përfshirë paralajmërimet e avancuara ajrore – do të aktivizohej.

Rezidenca e ambasadorit amerikan ndodhet në Distriktin Katara të Dohas, zonë që u godit nga Izraeli.

Izraeli filloi të kërcënonte sulme ndaj zyrtarëve të Hamasit jashtë vendit që nga verë e kaluar, me faqen izraelite të lajmeve Maariv që raportoi në qershor se Izraeli kishte një “listë vrasjesh” të Hamasit.

Por zyrtarët rajonalë dhe amerikanë besonin gjerësisht se Izraeli do të shmangte sulmet ndaj Dohas.

Katari është një aleat i madh i SHBA-së, por jo anëtar i NATO-s.

Edhe pse Doha nuk është aq e popullarizuar mes të huajve sa Dubai, ajo ka dalë ngadalë si një qendër më diskrete për perëndimorët dhe biznesmenët globalë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button