Lazzarini: Jeta në Gaza është ferr, na lejoni t’i ushqejmë njerëzit

Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini, e ka përshkruar jetën në Gaza si “një ferr” për shkak të asaj që e quajti pandëshkueshmëri totale dhe mungesë empatie.
“Plaga më e fundit është një uri e shkaktuar nga njeriu. Ajo mund të kthehet mbrapsht: gjithçka që nevojitet për të ndryshuar kurs është vullneti politik, hapja e portave dhe lejimi i punës sonë”, shkroi ai në X.
Lazzarini, i cili ndodhet për vizitë në Kajro, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm që të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në shkallë të gjerë në Gaza. Ai tha se vetëm UNRWA ka ushqime dhe ndihma të mjaftueshme, aktualisht të bllokuara në Egjipt dhe Jordani, për të mbuluar nevojat kritike të të gjithë popullsisë për tre muaj.