Përleshje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve në Serbi

Policia serbe ka përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera për shpërndarjen e protestuesve në qytetin Novi Sad, të premten, ndërsa mijëra persona vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Protesta e 5 shtatorit është pjesë e një serie tubimesh të udhëhequra nga studentët, të cilët kundërshtojnë keqmenaxhimin e Qeverisë. Demonstratat nisën pas rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale, duke pretenduar se projekti i rindërtimit të stacionit është shoqëruar me korrupsion.

Fillimisht, organizimet kanë qenë kryesisht paqësore, por që nga mesi i gushtit janë shoqëruar me tensione. Në protestën e së premtes, përveç thirrjeve për zgjedhje të parakohshme, disa pjesëmarrës hodhën shishe dhe sende të tjera drejt policisë, kanë raportuar mediat serbe.

Presidenti Aleksandar Vuçiç i ka akuzuar protestuesit se po përpiqen të “kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e Serbisë” dhe “të zaptojnë objektet universitare në Novi Sad”. Ai tha se në përplasjet pranë Fakultetit Filozofik janë plagosur 11 zyrtarë policorë, ndërsa dhjetëra persona janë arrestuar.

“Njerëzit në Serbi duhet ta dinë se shteti është më i fuqishëm se cilido, dhe kështu do të jetë gjithmonë,” u shpreh Vuçiç, duke paralajmëruar se të dielën do të zhvillohen edhe marshime në mbështetje të Qeverisë.

Vetëm dy ditë më parë, mijëra qytetarë kishin marshuar në Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera për të shënuar 10 muaj nga tragjedia e stacionit hekurudhor. Ndërkohë, presidenti ka hedhur poshtë kërkesat për zgjedhje të parakohshme, duke i cilësuar protestat të nxitura nga “faktorë të jashtëm”.

Partia Përparimtare Serbe, e drejtuar nga Vuçiç, është në pushtet që nga viti 2012.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button