Kryeparlamentari Gashi: Fjala ime e plotë në pritjen për nder të 8 Shtatorit- Ditës së Pavarësisë

📰 Kryeparlamentari Afrim Gashi: Pavarësia është amanet dhe udhërrëfyes për të ardhmen
Në kuadër të shënimit të 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mbajti një fjalim solemn në të cilin theksoi rëndësinë e unitetit, forcimit të demokracisë dhe perspektivës evropiane të vendit. Ai e cilësoi pavarësinë jo si dhuratë, por si amanet për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e përbashkët të qytetarëve.
Më poshtë fjalimi integral i kryeparlamentarit Gashi:
Të nderuar,
Kam nderin e veçantë t’ju mirëpres në Kuvend, në shtëpinë tonë dhe të gjithë qytetarëve, për nder të 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë. Me këtë rast, më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve të Kuvendit, t’jua uroj 34-vjetorin e shtetit tonë të pavarur.
Kur flasim për pavarësinë e shtetit, natyrshëm na vjen sikur po e prekim historinë, ndërsa ne të gjithë e dimë mirëfilli se historia e shtetit tonë nuk ka qenë as e lehtë as shumë e këndshme. Kemi pasur momente kur edhe bashkëjetesa është vënë në sprovë dhe ia kemi dalë, por kemi pasur momente kur edhe bashkërisht kemi ditur të korrim fitore. Dhe sot, mbi të gjitha, gëzohemi sepse kjo ditë na gjen të bashkuar në paqe.
Megjithatë, pavarësia është vetëm fillimi, ajo është themeli mbi të cilin duhet ta ndërtojmë shtëpinë tonë të përbashkët. Dhe, kjo shtëpi çdo ditë ka nevojë për përkujdesje, për ta përforcuar demokracinë, për ta pastruar nga korrupsioni, për të mbjellë meritokraci dhe drejtësi, për ta rritur mirëqenien e qytetarëve tanë dhe për ta forcuar shtetin e së drejtës e frymën e solidaritetit.
Sot, ne kemi një shtet që ka gjetur ekuilibrin dhe harmoninë ndërmjet popujve të ndryshëm që jetojnë në të dhe që ka dhënë shembull të qartë pjekurie për t’i ruajtur marrëdhëniet e mira fqinjësore, por edhe një aleat i besueshëm i NATO-s, si dhe një vend kandidat i denjë për t’u bërë anëtar i plotfuqishëm e Bashkimit Europian.
Porosia kryesore që dua të përcjell në këtë përvjetor të pavarësisë është uniteti. Ne, si një shtet i ri, kemi nevojë për shumëçka, por mendoj se mbi të gjitha ne kemi nevojë për unitet. Dhe, jo për unitet uniform e sipërfaqësor, por për një unitet thelbësor, që i respekton dallimet, që i kthen ato në pasuri dhe jo në ndarje. Është përgjegjësi e secilit prej nesh të mos ushqejë përçarje, por të ndërtojë ura, të mos e përdor dallimin si mur, por si dritare për ta parë njëri-tjetrin më afër.
Pas 34 vitesh shtet, është koha që Maqedonia e Veriut të ngrihet në nivelin që e meriton. Ne mund të jemi një shtet i vogël për nga madhësia, por jemi të mëdhenj në mundësi, aspirata e ambicie. Ne jemi qendra e Ballkanit dhe prandaj është koha që kjo qendër të rrezatojë stabilitet, kulturë, dije dhe vlera, ashtu siç ka ditur të reflektojë edhe në të kaluarën shumë të pasur për ne dhe për mbarë civilizimin njerëzor.
Të nderuar të pranishëm, të dashur qytetarë,
Pavarësia nuk është dhuratë – ajo është amanet. Amanet nga e kaluara, detyrim për të tashmen dhe udhërrëfyes për të ardhmen. Ajo është amanet që kjo tokë të jetë shtëpia jonë e përbashkët, atdheu i të gjithë njerëzve të saj pa ndarje, pa përjashtime. Është amanet që dallimet të mos na ndajnë, por të na afrojnë, të na pasurojnë dhe të na bëjnë më të fortë.
Ky amanet na bashkon sot dhe do të na prijë edhe nesër drejt lirisë më të madhe, drejtësisë dhe drejt një të ardhmeje të përbashkët, ku secili do të ndihet zot në atdheun e vet. Ashtu siç ka thënë presidenti Abraham Linkoln: “Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen është ta krijojmë vetë.” Dhe, ne do ta bëjmë këtë – do ta krijojmë së bashku.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!



