Bujar Osmani: Do të vendosi drita në Bit Pazar

Kandidati i BDI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, nga Bit Pazari paralajmëroi një plan konkret për integrimin e kësaj zone ekonomike e kulturore, së bashku me Çarshinë e Vjetër të Shkupit, dhe shndërrimin e saj në një atraksion turistik.

“Jam këtu në zonën mes Çarshisë së Shkupit dhe Bit Pazarit. Gjithmonë kemi folur se aseti më i madh i Çairit është Çarshia. Mirëpo, nuk duhet harruar Bit Pazari si pjesa më dinamike, zemra e ekonomisë së Çairit, ku një numër i madh njerëzish nxjerrin bukën e tyre. Ai është gjithashtu një prej atraksioneve më të mëdha të komunës sonë, me të cilin identifikohet komuna jonë”, tha Osmani.

Ai theksoi se gjendja aktuale nuk i përgjigjet rëndësisë së kësaj zone. “Ditëve të fundit kalova këtu edhe ditën edhe natën. Natën nuk pashë asnjë ndriçim nëpër rrugët rreth Bit Pazarit dhe Teatrit të Shkupit, institucion me 75 vite histori. Nuk kishte asnjë dritë. Pashë qen endacakë që i frikësonin njerëzit të kalonin këtu, si dhe automjete që uzurponin rrugët. Thjesht, ky nuk mund të jetë Pazari me të cilin identifikohet Çairi ynë”, theksoi ai.

Osmani prezantoi planin e tij për ndërhyrje: “Do ta rregullojmë ndriçimin në të gjitha pjesët e Bit Pazarit. Do ta zgjidhim çështjen e parkingjeve. Do të ndërmjetësojmë mes kompanisë private dhe njerëzve që shesin këtu, për të siguruar kushte më të mira – mbulesa dhe një ambient të pastër, pa mbeturina nëpër rrugë. Komuna do të formojë një ndërmarrje komunale të veçantë me 120 të punësuar të uniformuar, të cilët çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje do të kujdesen për higjienën dhe rendin në Bit Pazar”.

Ai kujtoi se Bit Pazari historikisht ka qenë jo vetëm qendër ekonomike, por edhe vend i jetës sociale.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button