VLEN: Përfaqësimi i drejtë bëhet ligj, jo fasadë për nepotizmin e BDI-së!

Koalicioni VLEN ka reaguar ashpër ndaj BDI-së, siç janë shprehur, tash e ribrenduar si Aleanca e Koalicionit të Interesave (AKI), duke e akuzuar se për dy dekada ka mbajtur peng shqiptarët dhe ka përdorur parimin e përfaqësimit të drejtë si maskë për korrupsion dhe pushtet absolut.
“Për 20 vite me radhë, BDI sot e ribrenduar si AKI, i mbajti peng shqiptarët, duke e përdorur parimin e përfaqësimit të drejtë si maskë për korrupsionin, pazaret dhe mbajtjen me çdo kusht të pushtetit të saj,” thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, ligji për përfaqësimin e drejtë, i cili duhej të miratohej që në vitin 2003, është zhdukur përmes “marrëveshjeve të pista dhe interesave klanore”.
“Për ta, përfaqësimi i drejtë nuk ishte barazi, por mënyrë për të punësuar nipat, mbesat dhe militantët partiakë,” thekson VLEN.
VLEN thekson se sot, falë qeverisjes së tyre, ky standard po vendoset si bazë ligjore.
“Me këtë ligj, çdo institucion do të jetë i detyruar të respektojë dhe avancojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Themelimi i një Trupi Koordinues Qeveritar, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri, do të monitorojë dhe garantojë zbatimin e tij,” thuhet në reagim.
Ata sqarojnë se brenda gjashtë muajve, të gjitha ligjet sektoriale do të harmonizohen me obligimet që burojnë nga ky ligj.
Në fund, VLEN ka bërë një krahasim të drejtpërdrejtë mes qeverisjes së tyre dhe asaj të BDI-së.
“Ata i përdorën institucionet për të pasuruar veten dhe rrethin e tyre, ne po i përdorim për të sjellë barazi dhe drejtësi. Ata ndryshuan Kodin Penal për të shpëtuar të korruptuarit e vet, ne po ndryshojmë ligjet për të garantuar përfaqësimin e drejtë të të gjithëve. Ata sollën projekte të dëmshme si Ballkani i Hapur, ne po sjellim standarde evropiane dhe barazi ligjore.”



