Banka Qendrore e Irlandës ndalon miratimin e shitjes së “bonove të luftës” izraelite

Banka Qendrore e Irlandës ka njoftuar se nuk do të miratojë më shitjen e “bonove të luftës” izraelite, një hap historik.
Banka Qendrore e Irlandës është autoriteti i vetëm rregullator në BE që deri tani miratonte shitjen e këtyre bonove nga Izraeli për të financuar operacionet ushtarake të vendit në Gaza, përmes kompanisë Development Company for Israel Ltd.
Këtë javë, banka qendrore njoftoi se nuk do të rinovojë miratimin për bonot izraelite pas skadimit të tij të hënën e ardhshme. Guvernatori Gabriel Makhlouf tha se miratimi për prospektin e bonove izraelite të vitit 2024 skadon më 1 shtator 2025 dhe nga 2 shtatori 2025 shteti i Izraelit nuk do të mund të ofrojë më bonot sipas këtij prospekti.
Ai shtoi se përgjegjësia për miratimin e bonove është transferuar te Luksemburgu, ku autoriteti kompetent aprovoi një prospekt të ri për vitin 2025.
Kjo nismë u përshëndet nga Ireland-Palestine Solidarity Campaign; kryetarja Zoe Lawlor tha për Irish Times: “Sot është një fitore e madhe për popullin e Irlandës, që qëndron me vendosmëri në solidaritet me popullin palestinez.”
Më parë, qeveria irlandeze kishte njoftuar se synon të miratojë ligje për të ndaluar tregtinë me bizneset izraelite në territoret e pushtuara palestineze, duke u bërë vendi i parë europian që ndërmerr një hap të tillë.
Në vitin 2018, projekti i ligjit për Territoret e Pushtuara ishte paraqitur nga senatori i pavarur Frances Black, por ishte bllokuar për shkak të shqetësimeve mbi shkeljen e rregullave të tregtisë së BE-së.
Megjithatë, një opinion këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në korrik 2024 theksoi se prania e Izraelit në territoret e pushtuara palestineze është “e paligjshme” dhe se vendi duhet të “ndalojë sa më shpejt prezencën e tij në këto territore”.
Qeveria irlandeze, së bashku me Spanjën dhe Norvegjinë, njohu shtetin e Palestinës në maj 2024.



