34-vjeçari nga Kriva Pallanka është viktima në kantierin në Kisella Vodë të Shkupit

Një 34-vjeçar nga Kriva Pallanka është personi që humbi jetën në aksidentin që ndodhi dje në një kantier ndërtimi në Kisella Vodë.

“Dje në orën 08:17 në SPB Shkup është raportuar se në një kantier ndërtimi në rrugën “Kozjak” në Shkup, gjatë gërmimit të themeleve, punëtorët janë zënë nga dheu. Tre punëtorë janë nxjerrë dhe janë dërguar me autoambulancë në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza”, ndërsa një punëtor është gjetur pa shenja jete dhe vdekja është konstatuar nga mjeku i Ndihmës së Shpejtë”, informuan dje nga policia.

Prokuroria e Shkupit ka lëshuar urdhër për obduksion të të ndjerit.

“Prokurori publik ka dhënë urdhër për obduksion. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe inspektori komunal i ndërtimit po hetojnë gjithashtu shkaqet e aksidentit dhe respektimin e rregullave të sigurisë në punë”, njoftuan dje nga Prokuroria Publike.

Jozyrtarisht, punëtori i ndjerë ishte bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve të mitur.

Tre të lënduarit, të moshës 35 deri në 45 vjeç, janë dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

“Dy prej tyre kanë lëndime të lehta trupore dhe kontuzione dhe po kryhen procedura diagnostikuese. Njëri është trajtuar menjëherë për një lëndim në bërryl, ndërsa pacienti i tretë ka fraktura në të dy kërcinjtë dhe kofshë. Gjendja e tyre shëndetësore po monitorohet dhe trajtimi mjekësor vazhdon”, informuan nga Ministria e Shëndetësisë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button