16 vende kërkojnë mbrojtjen e flotiljes humanitare për Gazën e cila është e bllokuar nga Izraeli

Gjashtëmbëdhjetë vende kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët duke kërkuar mbrojtjen e Flotiljes Globale Sumud, një flotë anijesh që transporton aktivistë dhe ndihma humanitare drejt Gazës, e cila është e bllokuar nga Izraeli.
Deklarata, e publikuar nga Ministria e Jashtme e Afrikës së Jugut, thekson se misioni i flotiljes për të dorëzuar ndihma dhe për të rritur ndërgjegjësimin mbi nevojat urgjente humanitare në Gaza përputhet me angazhimin e qeverive të tyre për paqe dhe respektimin e ligjit humanitar ndërkombëtar.
“Prandaj i bëjmë thirrje të gjithëve të heqin dorë nga çdo akt i paligjshëm ose i dhunshëm kundër flotiljes, dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe ligjin humanitar ndërkombëtar,” thuhet në deklaratë.
Ajo paralajmëron se çdo sulm ndaj anijeve në ujërat ndërkombëtare, ose mbajtja e paligjshme e pjesëmarrësve, do të çojë në përgjegjësi ligjore.
Deklaratën e nënshkruan ministrat e jashtëm të Turqisë, Katarit, Bangladeshit, Brazilit, Kolumbisë, Indonezisë, Irlandës, Libisë, Malajzisë, Maldiveve, Meksikës, Pakistanit, Omanit, Sllovenisë, Afrikës së Jugut dhe Spanjës.