Zyra e OKB-së për çështjet humanitare: Rihapja e pikës kufitare Rafah do të rriste rrjedhën e ndihmave në Gaza

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare (OCHA) tha të enjten se rihapja e pikës kufitare të Rafahut do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, duke theksuar se pika shtesë të kalimit janë thelbësore për zgjerimin e operacioneve humanitare në Rripin e Gazës.
“I kemi parë raportet mediatike. Siç kemi thënë më parë, shpresojmë që të shohim rihapjen e Rafahut së shpejti për të mundësuar lëvizjen e mallrave dhe njerëzve”, tha zëdhënësja e OCHA-s në Gaza, Olga Cherevk, në një deklaratë për Anadolu.
Komentet e saj erdhën pasi kreu i komitetit të ri të tranzicionit në Gaza njoftoi se pika kufitare Rafah midis Gazës dhe Egjiptit do të rihapet javën e ardhshme për udhëtime në të dy drejtimet.
“Jam i kënaqur të njoftoj se pika Rafah do të hapet javën e ardhshme në të dy drejtimet për palestinezët në Gaza”, tha Ali Shaath gjatë një ceremonie nënshkrimi të Kartës së Bordit të Paqes.
Cherevko theksoi se kjo hapje do të rrisë ndjeshëm sasinë e ndihmave që hyjnë në Gaza. “Rikthimi i lëvizjes së mallrave përmes Rafahut do të rrisë vëllimin e furnizimeve humanitare që hyjnë në Gaza, gjë që nga ana tjetër do të zgjerojë shkallën e reagimit humanitar”, tha ajo. “Për më tepër, ata që zgjedhin të largohen – dhe ata që zgjedhin të kthehen – duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë vullnetarisht dhe në mënyrë të sigurt”, shtoi ajo.
Zëdhënësja e OCHA-s theksoi se vetëm pika kufitare Rafah nuk do të ishte e mjaftueshme për të përmbushur nevojat humanitare, duke kërkuar qasje më të gjerë përmes shumë rrugësh.
“Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për hapjen e plotë dhe të qëndrueshme të pikave shtesë të kalimit brenda dhe jashtë Gazës, përfshirë më shumë pika drejt veriut, dhe nga Egjipti, për mallra dhe personel humanitar dhe për dërgesa tregtare”, shtoi ajo.



