Zvicra dënon miratimin e Izraelit për 22 vendbanime “të paligjshme” në Bregun Perëndimor

Zvicra dënoi miratimin e fundit nga Izraeli të 22 vendbanimeve të reja kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke paralajmëruar se ky veprim paraqet “pengesë të madhe” për paqen, transmeton Anadolu.
“Zvicra dënon miratimin e 22 vendbanimeve të reja në territorin e pushtuar palestinez nga Izraeli. Ato janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Konventën e Katërt të Gjenevës, dhe pengesë e madhe për paqen”, tha Ministria e Jashtme në X.
“Zgjerimi dhe dhuna e kolonëve duhet të ndalen”, kërkoi ministria.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka konfirmuar se qeveria miratoi ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja kolone në Bregun Perëndimor, të cilin e pushtoi në vitin 1967.
Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, i konsideron vendbanimet izraelite të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. OKB-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se zgjerimi i vazhdueshëm i vendbanimeve kërcënon qëndrueshmërinë e një zgjidhjeje me dy shtete, një kornizë që shihet si çelësi për zgjidhjen e konfliktit palestinezo-izraelit që ka zgjatur me dekada.
Në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin disadekadësh të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor.