Zv/kryeministri Mexhiti takim zyrtar me kryeministrin e Shqipërisë

Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti i cili mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024” në Tiranë, zhvilloi disa takime me krerët e shtetit shqiptar. Ai zhvilloi një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama.
“Takimi im me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, filloi si një takim zyrtar, por shpejt mori një drejtim tjetër, duke u shndërruar në një bisedë vëllazërore e të ngrohtë. Pritja e përzemërt e kryeministrit Rama, dhe humori i tij i veçantë, e shndërroi takimin formal në një bashkëbisedim mes miqsh. Në një atmosferë të relaksuar, me kryeministrin Rama ndërruam shumë tema, por gjithnjë të vetëdijshëm se vlerat tona të përbashkëta janë një sfond i pakapërcyeshëm”, ka njoftuar Mexhiti.
Në takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit mes dy qeverive dhe vendeve, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve të forta që i bashkojnë shqiptarët.
“Në këtë kontekst, Kryeministri Rama më uroi për suksesin në zgjedhje dhe për detyrën e re që kam marrë, duke theksuar se shqiptarët në Maqedoni janë garantuesi për integrimin e vendit tonë në familjen e madhe evropiane! Në shenjë të vullnetit të mirë për bashkëpunim, kryeministrin Rama e ftova për vizitë zyrtare në Shkup, kryeqendrën tjetër historike të shqiptarëve. E ardhmja jonë është e ndritshme, sepse bashkëpunimi ynë do të jetë i përhershëm”, ka thënë Mexhiti.