Zv/kryeministri i parë Bekim Sali: Institucionet të mobilizuara për stabilizimin e gjendjes në Saraj

Zv/kryeministri i parë Bekim Sali nga terreni ka parë gjendjen e shkaktuar pas reshjeve intensive në disa zona të Komunës së Sarajit. Ai ka njoftuar se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga orët e mëngjesit është në koordinim të vazhdueshëm dhe ka aktivizuar të gjitha institucionet përkatëse, të cilat janë në terren dhe po punojnë intensivisht për stabilizimin e gjendjes.
“Për shkak të reshjeve intensive dhe motit të paqëndrueshëm, në disa zona të Komunës së Sarajit janë regjistruar përmbytje.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga orët e mëngjesit është në koordinim të vazhdueshëm dhe ka aktivizuar të gjitha institucionet përkatëse, të cilat janë në terren dhe po punojnë intensivisht për stabilizimin e gjendjes. Po bëhet pastrimi i rrugëve dhe kanaleve, ndërsa disa familje janë evakuuar për arsye sigurie.
Po ashtu, është formuar edhe Shtabi i Krizës për menaxhimin dhe koordinimin e të gjitha veprimeve deri në normalizimin e plotë të situatës.
Apelojmë tek banorët për kujdes të shtuar dhe respektim të udhëzimeve të autoriteteve kompetente”, ka shkruar zv/kryeministri i parë Bekim Sali.



