Zv/kryeministri i parë, Bekim Sali: Anëtarësimi në NATO, moment i rëndësishëm për shtetin

Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka përkujtuar përvjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për shtetin dhe orientimin e tij euroatlantik.
Përmes një statusi publik, Sali theksoi rëndësinë e këtij përvjetori për shtetin dhe qytetarët.
“Sot shënojmë një moment të rëndësishëm për shtetin tonë – përvjetorin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO”, ka shkruar ai.
Ai vlerësoi se procesi që çoi drejt anëtarësimit dëshmon se vendimet e përgjegjshme politike dhe kompromiset e guximshme sjellin përfitime konkrete për shtetin.
“Përvoja jonë tregon se kompromiset e përgjegjshme dhe vendimet e guximshme sjellin përfitime konkrete për shtetin dhe shoqërinë dhe mbeten kyçe për hapat e ardhshëm të reformave që do ta përcaktojnë drejtimin e integrimit tonë drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Sali, duke iu referuar perspektivës së integrimit në Bashkimi Evropian.
Sipas tij, anëtarësimi në NATO përbën një arritje historike për vendin, duke forcuar pozitën e tij ndërkombëtare dhe duke kontribuar në sigurinë kolektive.
“Anëtarësimi në NATO si hap historik nuk ishte vetëm një arritje politike dhe strategjike, por edhe një konfirmim i përkushtimit tonë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë”, u shpreh zëvendëskryeministri i parë.
Në fund të mesazhit të tij, Sali uroi qytetarët për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke ritheksuar përkushtimin për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt për vendin.


