Zv/drejtori i ‘Makedonija Pat’, Sasho Drango, pozon me një ari të vrarë – kërkohet shkarkimi i tij
Zëvendësdrejtori i “Makedonija Pat” dhe kryetari i Unionit të Veteranëve në Demir Hisar, Sasho Drango, është fotografuar krenar me një ari që e ka vrarë në dhjetor të vitit 2024, njoftoi organizata joqeveritare për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”. Ariu është klasifikuar si një lloj i mbrojtur, që do të thotë se gjuetia, përndjekja apo shqetësimi i tij janë rreptësisht të ndaluara.
“Fotografitë e siguruara nga Anima Mundi tregojnë se Drango, pasi e ka vrarë ariun, pozon me të gjakftohtësi sikur të ishte një trofe, çka reflekton hobi e tij të çmendur. Kjo vërtetohet edhe nga fotot e tij në rrjetet sociale me kafshë të egra të vrara.
Bëhet fjalë për një person, i dyti në hierarkinë e një ndërmarrjeje publike, që duhet të jetë shembull për respektimin e ligjeve, e jo kryerës i veprave penale. Kjo ngre pyetjen nëse Drango është i paprekshëm nga drejtësia vetëm sepse është politikan dhe sa herë e ka kryer këtë akt monstruoz?” – thuhet nga Anima Mundi.