Zonja e Parë e Turqisë në Vatikan: Bota është më e madhe se pesë

Bashkëshortja e Presidentit të Turqisë, Emine Erdoğan, tha se mesazhi “Bota është më e madhe se pesë” është manifesti i të shtypurve “të lënë pas” të botës dhe është një thirrje e madhe për drejtësi globale.

Emine Erdoğan mori pjesë në konferencën e mbajtur në Institutin Papnor të Shkencave Shoqërore në Vatikan me temën “Ekonomi mbi bazën e vëllazërisë: Multilateralizmi etik”.

Në konferencë, ku morën pjesë shumë të ftuar të rëndësishëm si Presidenti i Rrjetit të Zgjidhjeve për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Prof. Jeffrey Sachs, Kardinali Peter Turkson, Murgesha Helen Alfrod, Përfaqësuesi i Lartë i Aleancës së Qytetërimeve të OKB-së Miguel Angel Moratinos, u diskutuan tema si shumëpalësia, rendi shumëpolar, reforma në OKB dhe qytetaria globale.

Duke folur në panelin e konferencës të titulluar “Multilateralizmi për Qytetarinë Globale”, Emine Erdoğan shprehu kënaqësinë e saj që u takua sot këtu me një grup të shquar që besojnë se njerëzimi është më i fortë me të gjitha ngjyrat dhe zërat e tij.

“Sipas besimit tonë, njeriu i është besuar njeriut”

Erdoğan, duke shprehur se njerëzimi është një familje e madhe, tha se “Të gjithë ne jemi pjesëtarë të një familjeje të madhe njerëzore, të mbledhur rreth sofrës së tokës. Prandaj, ne i themi botës shtëpia jonë e përbashkët. Ashtu siç thotë Hz. Mevlana: ‘Kupola e qiellit është shtëpia ime, njerëzimi është familja ime.’ Racat tona të ndryshme, gjuhët, kulturat dhe besimet tona krijojnë një mozaik të mrekullueshëm. Kështu bota bëhet një vend më domethënës dhe më i jetueshëm. Në besimin tonë, njeriu i është amanet njeriut.”

Duke shpjeguar se ajo që e bën një familje ‘familje’, është dashuria, lidhja dhe kujdesi për të drejtat e njëri-tjetrit, Erdoğan u shpreh se kur shikojmë pikën ku ka arritur njerëzimi në çerekun e parë të shekullit XXI, shohim se familja njerëzore po jep sinjale alarmi.

“Mbi 150 milionë fëmijë jetimë. 32 milionë jetë të humbura për shkak të urisë së rëndë kronike në Afrikë. Ndërkohë që vetëm 1% e popullsisë së botës zotëron gjysmën e pasurisë globale, 3 miliardë njerëz përpiqen të mbijetojnë me më pak se 5,5 dollarë në ditë.

244 milionë fëmijë që nuk kanë mundësi të arsimohen. Rreth 70 milionë refugjatë të zhvendosur. 10 milionë njerëz pa strehë, pa atdhe, pa punë, pa shkollë, pa mjek, pa pasaportë, që e kanë humbur tashmë edhe fuqinë për të shpresuar. Në Gaza, gratë, burrat, fëmijët dhe familjet që janë zhdukur, emrat e të cilëve mbushin një raport vdekjeje prej 1.516 faqesh. Në 27 faqe të këtij raporti ndodhen foshnja që nuk kanë arritur ende ta festojnë ditëlindjen e tyre të parë”, deklaroi Zonja e Parë turke.

“Na nevojiten zgjidhje të reja që do ta ngrenë familjen në këmbë”

Erdoğan kritikoi gjithashtu qasjen e përqendruar “përdor dhe hidh” që e ka shndërruar njerëzimin në një masë të madhe konsumatorësh dhe tha: “Këto janë simptomat e shembjes së sistemeve që na premtojnë një botë të begatë. Nuk duket e mundur për ne të ndërtojmë një botë të drejtë me kuptimet aktuale dhe një sistem që e lë njerëzimin në gjysmë të rrugës sa herë që sprovohet. Prandaj, na duhen zgjidhje të reja që do ta rikthejnë familjen njerëzore në këmbë.”

Emine Erdoğan tregoi se si Turqia, në pozicionin e saj, e sheh botën përmes dritares së urtësisë së Anadollit dhe vazhdoi: “I afrohemi njerëzimit me udhëzimin e përvojës sonë historike që shtrihet në shekuj. Për shembull, që nga dita e parë e Luftës në Siri, kemi hapur dyert e vendit dhe zemrave tona për fqinjët tanë. Sepse në çdo sofër të ngritur në Anadoll, vendi për mysafirin e Zotit është i veçantë dhe gjithmonë i gatshëm. Edhe sot vazhdojmë të strehojmë në vendin tonë rreth 4 milionë refugjatë. Nuk e detyrojmë askënd të largohet dhe për ata që duan të kthehen në vendet e tyre, ofrojmë një kthim të vullnetshëm, të sigurt dhe me dinjitet. Jemi vendi më bujar në botë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, sepse jemi dëshmitarë se një qiri nuk e humbet dritën e tij kur ndez një tjetër.”

Dora e ndihmës së Turqisë shtrihet në çdo cep të botës

Duke theksuar se Turqia ka një traditë shtetërore që e vë njeriun në qendër, Erdoğan deklaroi se Turqia ua ka zgjatur dorën çdokuj, pa bërë dallim feje, gjuhe, race apo rajoni, nga Mianmari në Somali, nga Jemeni në Ukrainë, në çdo cep të botës.

Sipas saj, Anadolli është një atdhe i lashtë ku tingujt e ndryshëm janë shndërruar në një këngë të mrekullueshme të njerëzimit.

 “Dhe ne kemi mësuar vëllazërinë nga dheu i këtij atdheu, dhe tolerancën nga klima e tij”, tha ajo.

“Duhet t’i japim një kuptim të ri qytetarisë globale”

Emine Erdoğan, duke vënë në dukje se në Anadoll të krishterët, myslimanët, hebrenjtë dhe njerëz me prejardhje të ndryshme etnike kanë qenë fqinjë në të njëjtën lagje.

“E dimë nga kjo përvojë që në bazën e rritjes së polarizimit në botë, të islamofobisë dhe krimeve të urrejtjes, qëndron erozioni i multikulturalizmit. Prandaj, mendoj se duhet t’i qasemi me kujdes diskursit të qytetarisë globale. Qytetaria globale nuk duhet të jetë një kuptim që shkrin dallimet, që përpiqet t’i mbledhë njerëzit në një identitet të vetëm”, vijoi më tej Zonja e Parë.

Ndërkaq, Emine Erdoğan tërhoqi vëmendjen në zbehjen e kulturave apo humbjen e gjuhëve, që sipas saj do të thotë humbje e menjëhershme e trashëgimisë miliardavjeçare të njerëzimit.  “Në botën tonë, ku fliten rreth 7 mijë gjuhë, për fat të keq çdo javë një gjuhë zhduket nga faqja e dheut. Kjo humbje do të thotë ndikim i thellë në të gjitha kulturat, zhdukje e identiteteve të paçmuara dhe pasurive unike. Prandaj, duhet t’i japim një kuptim të ri qytetarisë globale.”

Erdoğan për qytetarinë globale citon thënien e Mevlanës

Erdoğan, duke iu drejtuar pjesëmarrësve të konferencës, solli fjalinë e Mevlanës: “Njëra këmbë e kompasit është e fiksuar në fenë time, por me këmbën tjetër e rrotulloj kompasin në 72 popuj”, dhe shtoi: “Kjo metaforë duhet të jetë fytyra e re e kuptimit të qytetarisë globale.
Pra, duhet ta fiksosh këmbën e kompasit në identitetin tënd të brendshëm dhe me këmbën tjetër të punosh për mirëqenien, paqen dhe sigurinë e njerëzimit. Duhet ta rifitojmë kompetencën shpirtërore për të qenë në empati me dhimbjet e njerëzimit. Vetëm kur ta ndiejmë rrahjen e zemrës së njerëzimit në kraharorin tonë, atëherë qytetaria globale do të marrë kuptimin e saj të vërtetë.”

“Shtetet nuk mund të përballen vetëm me krizat e shumëfishta”

Emine Erdoğan tha se krizat globale me të cilat përballemi çdo ditë e tregojnë gjithnjë e më shumë se sa jetikë janë solidariteti dhe mendimi i përbashkët.

Duke theksuar nevojën për një bazë morale dhe shpirtërore dhe për ndërtimin e aleancave gjithëpërfshirëse dhe barazimtare që mund të dëshirojnë për të tjerët atë që duan për veten, Erdoğan tha se me keqardhje vërejmë se barra mbi shpatullat e shteteve nuk është e shpërndarë në mënyrë të barabartë.

“Pika e nisjes së Projektit tonë të Mbetjeve Zero është besnikëria ndaj njerëzimit”

Erdoğan foli po ashtu edhe për Lëvizjen e Mbetjeve Zero, të nisur nga Turqia në vitin 2017 dhe që sot është shndërruar në një nismë globale me vendim të Kombeve të Bashkuara.

Për Zonjën e Parë “Mbetjet Zero” nuk duhen parë vetëm si një përgjegjësi mjedisore, por edhe si një provë që duhet ta kalojmë me sukses për të siguruar drejtësinë ndërbreznore dhe ndërshoqërore.

Ajo u shoreh se kur trajtojmë çështjen e ndryshimeve klimatike, duhet të fillojmë një transformim thelbësor të mendësisë.

“Për sa kohë që e shohim natyrën si një depo lëndësh të para dhe nuk ndërtojmë një marrëdhënie me të bazuar në respekt, zotimet globale do të mbeten të mbyllura në tekste.
Por nëse mund të bashkojmë teknologjinë me mësimet hyjnore, atëherë mund të shënojmë një sukses të rëndësishëm në historinë e njerëzimit”, deklaroi ajo.

“Bota është më e madhe se pesë dhe një botë më e drejtë është e mundur”

Duke theksuar se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan e përmend shpesh mesazhin “Bota është më e madhe se pesë dhe një botë më e drejtë është e mundur” në platformat ndërkombëtare, Emine Erdoğan tha:
“Ky mesazh është manifesti i të shtypurve ‘të lënë pas’ të botës. Është një thirrje e madhe për drejtësi globale. Është një vizion që fton të gjithë njerëzit të kujdesen për të tjerët pa ‘por’, pa ‘nëse’, dhe pa përjashtime, duke i marrë interesat e të gjithëve po aq seriozisht sa interesat e veta. Uroj që ky vizion të bëhet dritarja jonë e përbashkët për të parë botën. Sepse vetëm atëherë do të mund ta shuajmë mallin e thellë që ka njerëzimi për vëllazëri.”

Erdoğan tërhoqi vëmendjen mbi rreziqet e “Epokës Digjitale”

Ndërkaq, Zonja e Parë e Turqisë paralajmëroi për rreziqet e epokës digjitale, duke e vënë theksin në varësinë në rritje ndaj teknologjisë dhe pabarazinë globale në qasjen ndaj saj.

Ajo shtoi se sipas studimeve, 31% e të rriturve dhe 60% e të rinjve kanë krijuar varësi ndaj internetit, rrjeteve sociale dhe lojërave digjitale.

“Por, nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se, në mesin e këtij përparimi të jashtëzakonshëm teknologjik, gjysma e popullsisë së botës nuk ka ende qasje në internet. Kjo është ndoshta dilema më e madhe e epokës dixhitale”, tha ajo.

“Jeta dhe dinjiteti njerëzor janë shenjtëria e përbashkët e të gjitha feve”

Emine Erdoğan tha se njerëzimi tani ka nevojë për një rrugë të re dhe se kjo rrugë duhet të arrijë dhembshurinë, dashurinë, tolerancën, qëllimet e mira dhe drejtësinë.

Erdoğan përfundoi fjalimin e saj si më poshtë:

“Personalisht, besoj se kjo rrugë mund të skicohet me mësimet e përbashkëta të besimeve tona. Sepse jeta dhe dinjiteti njerëzor janë shenjtëria e përbashkët e të gjitha feve. Myslimanët besojnë se shpëtimi i një personi do të thotë shpëtimi i të gjithë njerëzimit. Në besimin e krishterë, është një detyrë hyjnore që njerëzit të duan njëri-tjetrin. Dhe ky emërues i përbashkët është i vetmi vaj që do të shërojë plagët e hapura në ndërgjegjen e njerëzimit.”

Emine Erdoğan, fjalimi i së cilës mori duartrokitje të mëdha, ishte e ftuara më e njohur gjatë konferencës në Vatikan. Konferenca në Vatikan përfundoi me një foto familjare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button