Zjarri pranë autostradës Shkup–Tetovë është shuar

Zjarri që shpërtheu dje pranë autostradës Shkup–Tetovë është shuar plotësisht, njoftojnë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Zjarri, i cili filloi në territorin e komunës së Zhelinës, në fshatin Cerovë, në mbrëmje u përhap drejt Karpalakut përgjatë autostradës dhe u shua gjatë orëve të natës nga zjarrfikësit e Tetovës dhe Shkupit.
Gjatë ditës së djeshme u shuan plotësisht 29 zjarre në hapësira të hapura. Aktualisht, katër zjarre aktive në hapësira të hapura janë nën kontroll të plotë ose të pjesshëm.
Sipas informacioneve nga Qendra për Menaxhim me Kriza, aktiv është zjarri në Kratovë, në fshatin Sokolicë, ku digjet vegjetacion i ulët, ndërsa nën kontroll janë zjarret në Jasen, ku prej dy javësh digjet një pyll i përzier, në Gjevgjeli, në malin Kozhuf, dhe në komunën e Zhelinës, në fshatin Merovë, ku digjet një pyll i përzier.



