Zjarre masive në SHBA: Shtëpi të shkatërruara dhe rrugë të bllokuara
Një mur flakësh përfshiu me shpejtësi kodrat në qytetin e Los Anxhelosit ku jetojnë yjet e Hollivudit mes erërave të forta që kanë pushtuar jugun e Kalifornisë.
Zjarret janë aq të mëdha sa mund të shihen nga distanca të largëta; një sërë shtëpish janë shkatërruar, banorë të shumtë braktisën makinat e tyre dhe u larguan në këmbë në rrugët e bllokuara, ndërsa dëshmitarët flasin për njerëz që qanin e vërtisnin largoheshin me fëmijët dhe kafshët e tyre shtëpiake.
30.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen, pasi shtëllunga të mëdha tymi mbuluan shumicën e zonës metropolitane. Të paktën 1.182 hektarë në zonën mes Santa Monikas dhe Malibusë janë zhuritur sipas zyrtarëve të cilët kanë paralajmëruar për rrezikun e madh nga zjarri ekstrem i cili po përhapet nga erërat e fuqishme, pas një thatësie të madhe. Parashikuesit e motit thonë se pikërisht erërat e forta do të zgjasin disa ditë, që në disa raste arrijnë shpejtësinë deri 160 kilometra në orë dhe kanë nxitur në përhapjen e zjarreve. “Jemi me fat që deri më tani nuk kemi raportime për të lënduar”, tha shefi i zjarrfikësve në Los Anxhelos, Kristin Crowqley, duke shtuar se më shumë se 25.000 persona në 10.000 shtëpi janë të kërcënuar nga zjarri. Zjarret po rrezikojnë edhe qytezën e famshme Malibu, rreth 32 kilometra nga qyteti Los Anxhelos, një zonë kodrinore përgjatë oqeanit. Edhe malet në qytezën e famshme Santa Monica janë përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit dhe avionët janë përfshirë në përpjekjet për shuarjen e zjarreve, që po kërcënojnë së fundi edhe Getti Villa, ku gjendet një muze me vepra të çmuara arti. Shërbimi Kombëtar i Motit tha se erërat që vijnë nga qyteti Santa Ana, mund të jenë më të fortat në një dekadë. Shkollat dhe shumë organizata të tjera i kanë anuluar veprimtaritë.
Erërat e thata, përfshirë ato që vijnë nga Santa Ana, kanë kontribuar në temperatura më të ngrohta se mesatarja në pjesën jugore të Kalifornisë, ku ka pasur reshje të pakta shiu.