Zhduket një avion indonezian me 10 persona në bord

Një avion indonezian që transportonte dhjetë persona, përfshirë shtatë anëtarë të ekuipazhit dhe tre pasagjerë, u zhduk sot në provincën Sulawesi Jugor, njoftoi Ministria e Transportit, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ANTARA, transmeton Anadolu.
Avioni “ATR 42-500”, i operuar nga kompania ajrore “Indonesia Air Transport”, humbi kontaktin në rrethin Maros.
“Një post i Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit (Basarnas) është ngritur pranë vendndodhjes”, tha Lukman F. Laisa, zyrtar i ministrisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil e ministrisë mori një raport fillestar për humbjen e kontaktit me avionin e regjistruar PK-THT, i cili ishte nisur nga Yogyakarta drejt Makassarit.
Informacionet paraprake treguan se kushtet e motit në atë moment përfshinin dukshmëri rreth tetë kilometra, me qiell pjesërisht të vranët.
“Detaje të mëtejshme janë ende duke u koordinuar me Agjencinë e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG)”, shtoi zyrtari.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil tha se po vazhdon koordinimin e ngushtë me autoritetet përkatëse dhe do të ofrojë përditësime të rregullta sapo të jenë të disponueshme informacione zyrtare.



