Zeqirija Ibrahimi: As në kohët më të mira të BDI-së nuk kanë ndodhur kaq investime te shqiptarët

Zeqirija Ibrahimi në emisionin “Dialog te Lajmi” është përgjigjur në pyetjen se çfarë ka ndryshuar te shqiptarët me ardhjen e tyre në qeveri.
“Në qoftë se gjykoni nga fjalori opozitar mund të konstatoni se këtu është bërë zi dhe shumë keq. Por gjithnjë duhet të tregohemi të matur dhe të pjekur në gjykimin e gjërave, për shkak se skena politike asnjëherë nuk mund të gjykohet me nuanca bardh e zi. Unë mund të ju them se qeverisja jonë në krahasim me qeverisjen që ka pasur BDI-ja me VMRO-në në të kaluarën është jashtëzakonisht më e avancuar”, deklaroi Ibrahimi.
Ibrahimi vazhdoi komentin duke sqaruar rrafshet e përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“D.m.th. qoftë në kuptim të investimeve që bëhen për shqiptarët, qoftë në kuptim të përfaqësimit të shqiptarëve, qoftë në kuptim të relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike, qoftë në kuptim të luftës së krimit dhe korrupsionit. D.m.th. ka një mëri të gjërave për të cilat ne mund të flasim. Fjala bie, nuk mban mend opinioni asnjë qeverisje që i ka ndarë 34 milion euro për një universitet shqiptarë. D.m.th. as në kohët më të mira të BDI-së kjo nuk ka ndodhur. Andaj unë gjykoj se nuk është mirë që perceptimi të krijohet në bazë të vajit të BDI-së, për shkak se nuk e ka dashur opozitën. Unë mendoj që gjendja e shqiptarëve është e avancuar, është stabile dhe se nuk ka asnjë degradim. Për fat të keq as ata nuk kanë as një të dhënë empirike, të matshme ose konkrete që mund të thonë se kjo është e faktuar se gjendja e shqiptarëve ka degraduar. Andaj ato janë pjesë e diskursit opozitar, sigurisht që janë të nxënë ngushtë për shkak të gjendjes së tyre me skandalet që u lindin çdo ditë dhe u duhet narracion i ri për ta shfajësuar veten dhe për të prodhuar një spin mediatik se ata janë mbrojtësit e vërtetë të çështjes shqiptare në Maqedoninë e Veriut”, theksoi midis tjerash Ibrahimi.