Zelenskyy: Ukraina e konsideron “pozitiv” propozimin e SHBA-së për armëpushim 30-ditor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se Ukraina e konsideron si “pozitiv” propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor me Rusinë, transmeton Anadolu.
Më herët, delegacionet nga SHBA-ja dhe Ukraina filluan bisedimet në qytetin saudit Xheddah për të diskutuar perspektivat për një marrëveshje të mundshme të paqes me Rusinë, pas së cilës një deklaratë e përbashkët shprehu gatishmërinë e Kievit për të pranuar propozimin e SHBA-së për të miratuar një armëpushim 30-ditor “të menjëhershëm dhe të përkohshëm”.
Zelenskyy në një video-adresim tha se delegacioni ukrainas raportoi tek ai për bisedimet të cilat ai i përcaktoi si “konstruktive”.
“Qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Ukraina ka kërkuar paqe që në sekondën e parë të luftës dhe ne duam të bëjmë gjithçka për të siguruar që paqja të arrihet sa më parë dhe në mënyrë të besueshme, në mënyrë që të mos ketë më luftë”, tha Zelenskyy.
Presidenti ukrainas shpjegoi tre propozimet nga Ukraina në takim, përkatësisht ndalimin e konfliktit në det dhe në ajër, si dhe masa reale për “krijuar besim në të gjithë këtë situatë”.
“Dhe, sot, gjatë diskutimit ka pasur një propozim konkretisht nga pala amerikane që menjëherë të hidhet hapi i parë përtej kësaj dhe të tentohet të vendoset një armëpushim i plotë për 30 ditë, jo vetëm në lidhje me raketat, dronët dhe bombat, jo vetëm në Detin e Zi, por edhe në të gjithë vijën e frontit”, tha ai.
“Ukraina e pranon këtë propozim, ne e konsiderojmë atë pozitiv. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë hap dhe SHBA-ja duhet të bind Rusinë që ta bëjë këtë. Kjo do të thotë, ne jemi dakord dhe nëse rusët bien dakord, heshtja do të hyjë në fuqi pikërisht në këtë moment”, theksoi më tej Zelenskyy.
Presidenti ukrainas gjithashtu tha se në takim u trajtua edhe gatishmëria e SHBA-së për të rivendosur ndihmën e mbrojtjes dhe mbështetjen e inteligjencës për Ukrainën.
Ai u shpreh se Kievi dhe partnerët e tij duhet të kenë kohë të mjaftueshme për të përgatitur materialin e nevojshëm për të garantuar një “paqe të besueshme dhe garanci të qëndrueshme të sigurisë”.
“Ukraina është gati për paqe. Rusia gjithashtu duhet të tregojë nëse është e gatshme t’i japë fund luftës apo të vazhdojë atë. Ka ardhur koha për të gjithë të vërtetën”, tha ai.